Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë sot mori në shqyrtim në seancën plenare një nen të rëndësishëm të Kodit Penal, nenin 262: “ORGANIZIMI DHE PJESËMARRJA NË GRUMBULLIME E MANIFESTIME TË PALIGJSHME”..
Tashmë, sipas Kushtetueses organizatorët do mjaftohen vetëm më një njoftim.
Gjykata i ka lënë afat qeverisë 6 muaj për të ndryshuar Kodin Penal dhe të reflektojë vendimin e sotëm që ka marrë organi më i lartë për kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve të tjera shtetërore.
Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.
3. Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar





