Berat, 7 gusht 2014 – Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Tomor Zeqon, që masakroi pak ditë më parë bashkëshorten e tij, Mimozën.
E vetmja nga familjarët që nuk e ka braktisur autorin e krimit të rëndë është nëna e tij.
E moshuara Lutfije Zeqo është parë dje me një trastë në dorë para Drejtorisë së Policisë së Beratit ku ka kërkuar të takojë djalin e saj, Tomor Zeqo.
“E kam djalë, nuk e bëj dot haram, pavarësisht krimit të rëndë që ai ka kryer. Ngjarja është shumë e rëndë, por unë erdha t’i sjell ushqim tim biri”.
Efektivët nuk e kanë ndaluar gruan në moshë të futej për të vizituar të birin. Ajo është larguar pas disa momentesh takimi me djalin e saj, shkruan “Panorama”.
Krimi që Tomor Zeqo kreu dy net më parë në banesën e tij ka tronditur të gjithë qytetin e Urës Vajgurore. Ndërkohë të tronditura nga kjo ngjarje kanë mbetur edhe koleget e repartit të prodhimit të çantave.
Banorë të qytetit bënë të ditur se Tomori njihej si një person i alkoolizuar dhe madje kohët e fundit kishte filluar edhe të luante bixhoz.
Ata dyshojnë se gjendja psikologjike e tij mund të ishte rënduar për shkak të humbjes së ndonjë sasie lekësh. Të gjithë janë në një mendje, kërkojnë dënimin maksimal për bashkëshortin që masakroi gruan dhe nënën e dy fëmijëve të tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





