Tiranë, 7 gusht 2014 – Ndryshon formula për llogaritjen e çmimit të siguracioneve. Autoriteti i Konkurrencës u ka lënë tre muaj afat kompanive të sigurimit që të përgatiten dhe të fillojnë zbatimin e llogaritjes individuale të siguracionit për secilin përdorues makine. Nga ana tjetër, Konkurrenca ka venduar që pagimi i dëmit të mos bëhet nga kompani të tjera, por nga kompania ku është blerë siguracioni.

Shoqëritë vetë kanë pranuar që pas datës 22 gusht të jenë gati për formulën e re, e cila prek direkt të gjithë qytetarët që kanë një automjet.

“Shoqëritë e sigurimit paraqitën angazhimet e tyre duke konfirmuar se ka filluar testimi i sistemit të individualizuar të sigurimit të detyrueshëm bonus- malus, dhe ky testim do të përfundojë më 22 gusht 2014, për t’u bërë funksional për tregun”, theksohet në njoftimin e Autoritetit të Konkurencës.

Por çfarë do të thotë ky sistem i ri? Bonus-malus do të përkthehet në një siguracion të veçantë për çdo përdorues makine. Siguracioni i ri i makinës nuk do të jetë unik, por i ndarë sipas automjetit që përdor, pra fuqisë motorike të tij dhe çmimit.

Sa më e madhe fuqia, aq më i lartë çmimi i siguracionit. Kusht tjetër është mosha e drejtuesit të automjetit. Një shofer i ri ka më shumë risk të pësojë aksident dhe kështu edhe çmimi i sigurimit do të jetë më i lartë, ndërsa një shofer me eksperiencë ka më pak mundësi për aksident dhe do të marrë çmim më të lirë.

Por, vjetërsia nuk është kusht për të pasur siguracion të lirë. Sepse parashikohet që në formulë të futet edhe historiku i aksidenteve të përdoruesit të automjetit. Një shofer që ka bërë disa aksidente do të paguajë më shumë për sigurimin e makinës, pasi ka treguar që shkakton dëme.

Një tjetër kusht është vendbanimi. Në rast se jeton në Tiranë apo në Durrës, ku numri i automjeteve për frymë është i madh, edhe mundësia për aksidente është më e madhe. Dhe sigurisht që risku dhe çmimi do të jetë më i lartë. Ky sistemi i ri pritet të jetë funksional brenda 3 muajve.

Në rast se sot përplas makinën me dikë tjetër, atëherë edhe pse nuk je fajtor, për zhdëmtimin e automjetit duhet të shkosh në kompaninë ku është siguruar pala tjetër. Autoriteti ka venduar që kjo metodë të ndryshojë, edhe zhdëmtimi të merret në kompaninë ku është siguruar personi që nuk është fajtor për aksidentin.

Sipas njoftimit, theksohet se edhe vetë shoqëritë në përgjithësi angazhohen se pagesa e dëmeve do të bëhet sipas shoqërive ku është siguruar mjeti motorik. Kjo, sipas Autoritetit, “nxit konkurrencën jo vetëm te tarifa e ofruar, por edhe mbi pagesën e dëmeve për produktin e siguruar, që është dhe qëllimi kryesor i çdo blerje të riskut nga shoqëria e sigurimit tek i siguruari”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/