Tiranë, 6 gusht 2014  – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin pa asnjë hezitim me organin e Prokurorisë, në mënyrë që hetimi për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari të jetë i plotë dhe të përfundojë sa më shpejt, duke vënë të gjithë personat përgjegjës para drejtësisë. 

Në përfundim të mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së theksoi se kjo ngjarje kriminale nga ish-punonjës të saj nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë në kryerjen me efikasitet të aktivitetit të saj të përditshëm. Këshilli Mbikëqyrës i BSH garanton opinionin publik se po punohet me vendosmëri për të rikuperuar të gjithë pasojat që mbart vjedhja e 713 milionë lekëve nga Thesari. 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë thekson se “pas kallëzimit penal, për dy ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë, Administrimi i Bankës së Shqipërisë ka: 
1. Informuar autoritetet dhe institucionet më të larta të vendit. 
2. Thirrur mbledhje të posaçme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në datat 22 korrik 2014, 29 korrik 2014, 1 gusht 2014, për ta informuar atë për ngjarjen e ndodhur dhe për masat e marra. 
3. Ngritur tre grupe pune për të: 
a. kryer inventarizimin e plotë të vlerave monetare në kartëmonedhë në administrim nga Banka e Shqipërisë; 
b. verifikuar nëse ka pasur nxjerrje të informacionit që përbën sekret shtetëror nga punonjës që për shkak të detyrës kanë qenë njohur me këtë lloj informacioni; 
c. konstatuar përputhshmërinë e veprimeve të kryera në terren nga punonjësit përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare, me përcaktimet e akteve rregullatore të Bankës së Shqipërisë, sa i përket procedurave të ruajtjes, administrimit dhe të përpunimit të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë. 
4. Bashkëpunuar ngushtësisht me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për evidentimin e çdo shkeljeje të akteve ligjore dhe nënligjore, që kanë mundësuar krijimin e rrethanave të favorshme për përvetësimin e vlerave monetare nga ish-punonjës në Bankën e Shqipërisë. 
5. Ndërprerë marrëdhëniet e punës me të gjithë personat e ngarkuar me vlera monetare dhe duke i zëvendësuar ata me punonjës të tjerë. 
6. Liruar nga detyra dhe ka zëvendësuar me specialistë me eksperiencë drejtuesit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes. 
7. Informuar të gjitha institucionet e sigurisë financiare në vend dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, mbi ecurinë e zbatimit të planit të masave, për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe sigurinë e depozituesve në sistemin bankar shqiptar. 
8. Raportuar në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave rreth masave të marra në një seancë dëgjimore dhe me shkresë. 
9. Organizuar takime me punonjësit e Departamentit të Emisionit dhe të Departamentit të Sigurimit e të Mbrojtjes, për të analizuar ngjarjen e përvetësimit të vlerave monetare, për prezantimin e drejtuesve të rinj dhe për të detajuar planin e masave që do të garantojë vijimësinë e punës në këto departamente.”- thuhet në njoftimin e Këshillit Mbikëqyrës. 

Mësohet se Këshilli Mbikëqyrës i kushtoi një vëmendje të veçantë përcaktimit të një strategjie më afatgjatë për të garantuar administrimin sa më efektiv të rrezikut operacional në të gjithë hallkat e përpunimit dhe ruajtjes së parasë cash. 

“Më konkretisht, për të rritur shkallën e sigurisë, Këshilli Mbikëqyrës, ndër të tjera la si detyrë që përpjekjet në këtë drejtim të përqendrohen në: 
1. Rivlerësimin e të gjithë bazës rregullatore, procedurave dhe praktikave që lidhen me përpunimin dhe ruajtjen fizike të parasë cash nën asistencën e institucioneve dhe agjencive të specializuara ndërkombëtare. Disa nga çështjet më prioritare në këtë drejtim do të jenë: 
• Rritja e shkallës së sigurisë. 
• Instruktimi i pandërprerë i anëtarëve të komisioneve të inventarizimit të vlerave monetare. 
• Forcimi i proceseve të monitorimit në kohë reale të pamjeve të regjistruara nga sistemi i kamerave të sigurisë. 
• Përcaktimi më i detajuar i niveleve të kontrollit në të gjitha hyrjet sipas arkave. 
• Rikalibrimi i rolit të kontrollorit mbikëqyrës për të garantuar më mirë zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi. 
2. Forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve me organet e zbatimit të ligjit për monitorimin e pastërtisë dhe figurës morale të punonjësve që mbajnë pozicione kyç si dhe të të ngarkuarve me vlera monetare. 
3. Intensifikimin e procesit të nisur për ngritjen e strukturave për vlerësimin e rrezikut operacional në çdo sektor dhe në tërësi për institucionin. 
4. Trajnimin dhe testimin e vazhdueshëm me qëllim informimin në kohë të të gjithë punonjësve të lidhur me rregulloret ekzistuese, me procedurat në fuqi dhe me rishikimet eventuale që mund të pësojnë ato. 
5. Automatizimin e mëtejshëm të administrimit të lëvizjes dhe magazinimit të parasë cash.” 

KËSHILLI MBIKËQYRËS: NUK U PROPOZUA SHKARKIMI I FULLANIT 
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka përgënjeshtruar lajmet e përhapura në media se në mbledhjen e sotme është propozuar shkarkimi i Guvernatorit Ardian Fullani. 

“Në vijim të lajmit të publikuar sot, “Fullani, propozohet shkarkimi”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Mbikëqyrës ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.”- thuhet në njoftimin e Këshillit Mbikëqyrës. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/