Itali, 6 gusht 2014 – Rinovimi i Fernando Alonsos me Ferrarin nuk është më aq i sigurt. Shkak janë bërë kërkesat e larta ekonomike të pilotit spanjoll, i cili sipas së përditshmes gjermane “Bild”, ka kërkuar 35 milionë euro në vit për të zgjatur marrëveshjen ekzistuese deri në vitin 2019.

Spanjolli 33-vjeçar ka një kontratë me Ferrarin deri në fund të vitit 2016, por skuadra italiane po bën të pamundurën të zgjasë këtë bashkëpunim për të mbajtur një nga pilotët më të mirë në qarkullim në dekadën e fundit. Por kërkesa e pilotit për tri vite ka qenë një “bombë” e vërtetë për drejtuesit italianë.

Alonso ka kërkuar 105 milionë euro për sezonet 2017, 2018 dhe 2019, me shumë mundësi të fundit e karrierës së tij në botën e Formula 1. Ferrari ka kërkuar kohë të mendohet, edhe pse skuadra është e ndërgjegjshme se për spanjollin tashmë po interesohet edhe MekLaren, i nxitur nga Honda që do të furnizojë me motorë këtë ekip, duke filluar nga edicioni i ardhshëm.

Ndaj Ferrari mund të vendosë të pranojë kërkesat e Alonsos, edhe pse kjo do të thotë se ai do të paguhet më shumë sesa Mikael Shumaher në vitet e qëndrimit të tij te skuadra italiane.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/