Berat, 5 gusht 2014  – Krimi në familje godet sërish. Një 42-vjeçare është masakruar me mjete të forta nga bashkëshorti i saj, mbrëmjen e djeshme në Berat. 

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Mimoza Zeqo është rrahur barbarisht nga i shoqi, Tomor Zeqo 45 vjeç dhe është detyruar nga ky i fundit të pijë fostoksinë.

Pak minuta para se të ndërronte jetë në spital 42-vjeçarja ka pranuar para mjekëve se fostoksinën ja kishte dhënë bashkëshorti me forcë.

Ndërkohë efektivët e policisë kanë mundur të arrestojnë autorin e krimit. Mësohet se 45-vjeçari Tomor Zeqo rezulton person me precedent penal, pasi tre vite më parë është dënuar për tentativë vrasje ndaj vëllait të tij, vepër për të cilën ka bërë dy muaj burg.

Fqinjët e familjes Zeqo kanë treguar se Tomori konsumonte vazhdimisht alkool dhe ushtronte dhunë ndaj gruas së tij, por ajo nuk kishte bërë asnjëherë denoncim. Edhe mbrëmjen që ndodhi ngjarja ai kishte qenë nën efektin e alkoolit. 

Sipas fqinjëve, Mimoza ishte e vetmja që punonte në familje, për të siguruar bukën për bashkëshortin dhe dy fëmijët. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/