Tiranë, 5 gusht 2014 – Në një kërkim në deklaratat e pasurisë së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë bie në sy një fakt interesant. Gazeta "Panorama" shkruan sot se Ardian Fullani në vitin 2007 ka shitur një apartament me vlerë 67.900 euro me para në dorë, ose ndryshe “cash”. Bëhet fjalë për shitjen e apartamentit të banimit në zonën e plazhit Golem të Kavajës, të cilin Guvernatori Fullani e ka deklaruar si të shitur dhe paratë i ka marrë në dorë dhe jo nëpërmjet sistemit bankar.
Ngjarja, sado e vogël, tregon se vetë “udhëheqësi” i sistemit financiar shqiptar, i cili gjatë gjithë kohës bën thirrje që bizneset dhe individët të kryejnë veprimet financiare nëpërmjet bankave, vetë ai ka kryer shitblerje pasurie të paluajtshme me lekë në dorë, dhe këtë fakt e deklaron pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurisë.
Në deklarimin e vitit 2007, Fullani pranon që ka mbajtur në shtëpi 67 900 euro, të cilat në deklaratën e vitit 2008 i deklaron të zeruar dhe të dhëna hua ndaj një personi fizik. Shumën prej 67 900 eurosh të shtëpisë së plazhit në Golem Fullani ia ka dhënë hua një personi, por nuk kuptohet qartë, pasi në të njëjtin vit Fullani ka blerë një truall prej 3.800 metrash katrorë në zonën e Farkës së Madhe në Tiranë, me një vlerë prej 220 000 eurosh.
Toka e blerë në vitin 2007, në vitin 2010 ka dhënë “frytet e saj”. Toka arë e blerë nga Guvernatori Ardian Fullani me një sipërfaqe prej 3.800 m2 është shfrytëzuar nga një kompani private për ndërtimin e ndërtesave, nga të cilat familja Fullani do të përfitojë 35% të sipërfaqes nga çdo ndërtesë.
“Kontratë sipërmarrjeje, datë 05.04.2010, me ANARSH sh.p.k. Për ndërtim objekti mbi truallin e deklaruar më parë me sip. 3.800 m2 me adresë Farka e Madhe Tiranë, duke përfituar 35% të sipërfaqes të secilit prej ndërtimeve të reja”, thuhet në deklarimin e vitit 2010 të Guvernatorit.
HUAT DHE PRENOTIMET
Po ashtu në vitin 2008, Fullani i ka dhënë një hua të majme dhe kunatit, Sokol Bajram Xhajës, me një vlerë prej 118.000 eurosh, ndërkohë që në të njëjtin vit ai ka prenotuar dhe një shtëpi pushimi në Malin e Robit. Bëhet fjalë për prenotimin e një apartamenti banimi me adresë Malin e Robit, ndërtuar nga kompania “Epidam” sh.p.k., duke shlyer atë me vlerën e 50 mijë eurove.
Po në të njëjtin vit, Fullani ka prenotuar një tokë dhe në zonën e Farkës, të cilën e ka paguar me një vlerë prej 2 milionë lekësh, ndërkohë që në kontratën e nënshkruar me tre persona fizikë ka arritur marrëveshje që në vitet e ardhshme t’i paguajë dhe 6 milionë lekë të tjerë.
Me një vlerë totale kontratë prej 8 milionë lekësh, por në vitin 2013 familja Fullani ka deklaruar se me personat është prishur kontrata dhe se detyrimi për blerjen e kësaj toke nuk figuron më si borxh, madje i ka marrë mbrapsht shumën prej 2 milionë lekësh të dhënë si kapar.
/gazeta "Panorama"/





