Durrës, 5 gusht 2014 – Sherri për vendin e tregtimit të misrave të pjekur ka përfunduar me një 60 vjeçare në spital dhe një 24 vjeçare në polici.
Grindja për motive banale është regjistruar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20.30, në lagjen nr.16, në afërsi të kryqëzimit të stadiumit, në Durrës.
Burime policore sqarojnë se në konfliktin fizik kanë mbetur të përfshira 24 vjeçarja T.L. dhe 60 vjeçarja B.S.
Dy gratë kanë nisur në fillim të kapen me fjalë njëra me tjetrën, pasi secila prej tyre pretendonte se i takonte asaj vendi për të shitur misrat e pjekur, aq shumë të kërkuar këto ditë të nxehta.
Pas fjalëve, gratë kanë përfunduar tek shkulja e flokëve dhe goditja e njëra tjetrës.
“Më e fortë” duket se ka dalë 24 vjeçarja, që e ka goditur me grushta në kokë tregtaren tjetër ambulante, e cila pas grushtimeve është dërguar për mjekim në spitalin e Durrësit.
Ndërkohë 24 vjeçarja është shoqëruar në polici dhe ndaj saj ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për “Plagosje e lehtë me dashje”.
Në vendngjarje, krahas efektivëve të policisë së rendit kanë mbërritur edhe ata të policisë bashkiake.
Këta të fundit kanë për detyrë për të monitoruar të gjithë territorin, përsa i përket zënies së trotuareve dhe hapësirave të tjera publike nga shitësit ambulantë, që shfaqen si pikat e shiut në kryqëzimet kryesore të qytetit, por edhe përgjatë gjithë zonës turistike.
Duket se ashtu si në rastin e subjekteve private që kanë zaptuar hapësirat publike në plazhin e Durrësit, edhe përsa i përket tregtarëve ambulantë, policia bashkiake e ka të humbur ‘luftën’.
/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





