Itali, 5 gusht 2014 – Xhanantonio Dela Cia (Giannantonio Della Cia), një fermer italian 53 vjeçar dhe njëkohësisht vëllai i ish kryebashkiakut të qytezës së Poveljanos (Povegliano), në provincën e Trevizos tentoi të vriste Elvis Agollin, 39 vjeç duke e shtypur me makinë.

Xhanantonio, ndërsa ishte nën efektin e alkoolit, për motive xhelozie, tentoi të shtypte me makinë Elvisin.

Shkak për këtë veprim duket se është bërë fakti se Elvisi është i dashuri i baristes së lokalit “Cantina Espanola”, ku ndodhi atentati,

53 vjeçari italian, në fillim ka goditur me xhipin e vet 3-4 herë makinën Kia Carnaval, në pronësi të Evisit.

Më pas, ai shkatërroi kangjellat e lokalit, tavolinat dhe karriget në oborr dhe në fund me makinë goditi vetratën e lokalit.

Nga goditja me makinë mbeti i plagosur Elvisi dhe një klient italian 70 vjeçar. Xhanantoinio goditi me shkelma dhe grushta edhe karabinierët, ndërsa po i vinin prangat.

Italiani përballet në gjykatë me akuzat tentativë vrasje, dëmtim prone me dashje, goditje për shkak të detyrës të efektivëve të rendit dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur.

39 vjeçari shqiptar Elvis Agolli u dërgua në spital me plagë, që besohet se janë të shërueshme për 10 ditë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/