·        Opozita (katandisur “sa gjeli një llokmë”, me mungesa dhe me ikje të PDIU-së): Ka klientelizëm, cenohet konkurrenca dhe goditen bizneset e ndershme

·        Prokuroria ka hapur çështje penale për mosarkëtimin e të ardhurave nga tarifa për plazhet private, ja pse bëhet korrigjim me shpejtësi në tarifë pa korrigjuar buxhetin

 

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 4 gusht 2014 –  Bashkia e Durrësit “mëson” nga ish-kryeministri Sali Berisha me amnistitë për energjinë elektrike dhe nga kompanitë celulare me ofertën: “Për subjektet që paguajnë brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, tarifa e plazheve private për sezonin turistik të vitit 2014 është në masën 100 000 lekë” nga 300 mijë që duhet të paguajnë.

Të hënën, më 4 gusht 2014, u zhvillua një mbledhje e këshillit bashkiak të qytetit nr. 2 të Durrësit, ku, përveç miratimit të ndihmës ekonomike, u paraqit projektvendimi “Për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të VKB nr. 169  datë 02.12.2013“Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit” i ndryshuar” pa specifikuar në rendin e ditës dërguar më 1 gusht 2014 se për çfarë bëhej fjalë.

Por gjithçka u bë e ditur më 4 gusht 2014: “të pikës 4 kapitulli VIII “Tarifa e plazheve private”, duke shtuar fjalinë si vijon:  Për subjektet që paguajnë brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, tarifa e plazheve private për sezonin turistik të vitit 2014 është në masën 100 000 lekë”.

DEFEKTET E RELACIONIT DHE PROJEKTVENDIMIT

Por në këtë projektvendim ka një defekt pasi në tekstin e referuar për shtesë thuhet: “Tarifa e plazheve private aplikohet mbi të gjitha subjektet që shfrytëzojnë sipërfaqen e rërës në vijën bregdetare për plazhe private gjatë periudhës së sezonit turistik. Baza e tarifës është sipërfaqja e rërës në m2. Niveli i tarifës 500 lek/m2 në muaj.”

Së dyti, ky ndryshim nuk është argumentuar me ndikimin në të ardhurat, gjë që do të kërkonte dhe një ndryshim në buxhetin e vitit 2014.

Sikurse u tha në diskutime, bëhet fjalë për mbi 75 plazhe private, ndërkohë që bashkia nuk kishte ndonjë përllogaritje për efektet.

Kjo për arsyen se: “të ardhurat nga tarifa e plazheve private për vitin 2014 janë planifikuar në shumën 12 000 000 lekë”.

Relacioni nuk kishte pse hartohej vetëm nga drejtori i drejtorisë së planifikimit, kontrollit dhe zhvillimit të territorit, por, të paktën, nga kryetari dhe zëvendëskryetarët e bashkisë, si dhe edhe nga drejtorja ekonomike, drejtorja e e taksave vendore, drejtori i drejtorisë ligjore.

I vetmi argument për këtë ndryshim, sipas relacionit, është: “nisur nga kërkesë-ankesat [është vetëm një! – “Dyrrah”-u] nga subjektet [22 të tilla – “Dyrrah”-u] që ushtrojnë aktivitet përgjatë vijës bregdetare në zonën e plazhit gjatë sezonit veror, me qëllim që shërbimi sipas standardeve të jetë i disponueshëm në vazhdimësi [ç’kuptim ka? – “Dyrrah”-u] dhe objektivin kryesor, vjeljen e tarifave, krijimin [?! – “Dyrrah”-u] dhe realizimin e të ardhurave [sa? – “Dyrrah”-u], i drejtohemi këshillit bashkiak për mundësinë e krijimit të lehtësisë fiskale për tarifën e plazhit”.

“OPERATIVITETI”

Bën përshtypje “operativiteti” i administratës së bashkisë së Durrësit, që në kohë rekord, brenda një dite (31 korrik-1gusht 2014), merr në shqyrtim kërkesë-ankesën (?!) e 22 pronarëve të plazheve publike dhe vë dorën në zemër: nëse për 60 ditë u duhet të paguajnë 300 mijë lekë për zënie të hapësirave publike, mund të paguajnë tri herë më pak, 100 mijë lekë, nëse paraqiten në bashki brenda 10 ditëve, kurse 21 subjekteve që kanë shlyer detyrimin prej 300 mijë lekë, nuk u bëhet rimbursim.

“Dyrrah”-u (jo si thashetheme) ka mësuar nga burime zyrtare se prokuroria e Durrësit ka hapur çështje penale për mosarkëtimin e të ardhurave nga tarifa për plazhet private.

PROKURORIA DHE KËRKESË-ANKESA

“durreslajm.com”-i ka mundur të fotografojë (shih faksimilen e errët) me vështirësi një listë që ka paraqitur bashkia e Durrësit me 21 “subjektet që kanë shlyer detyrimet për shfrytëzimin e hapësirave publike deri më 30 korrik 2014”.

Më 31 korrik 2014 protokollohet (shih faksimilen, në krye të faqes djathtas) “kërkesë-ankesës” së 22 subjekteve private që i drejtohen kryetarit të bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako, për t’i shprehur shqetësimin se “duke qenë se këtë vit, nisur dhe nga muaji i Ramazanit [jo vetëm sivjet, edhe vjet e më parë – “Dyrrah”-u] si dhe kushtet klimaterike jo të favorshme për plazh, ky sezon ka qenë i vështirë për ne, pasi dhe numri i turistëve ka qenë shumë i vogël. Fitimet tona modeste nuk arrijnë dot të shlyejnë taksën e zënies së hapësirës publike që është e lartë dhe nuk justifikon investimet dhe fitimin tonë.

Nisur nga kjo situatë, që për ne këto vitet e fundit është bërë problematike, i lutemi kryetarit të bashkisë që me strukturat e tij të mundësojnë uljen e kësaj takse për këtë kategori biznesi…”

AKSIONI

Të nesërmen, më 1 gusht 2014, njoftohen anëtarët e këshillit bashkiak për mbledhje më 4 gusht, kurse policia bashkiake ndërmori paradite një aksion për lirimin e plazheve publike në të gjithë zonën bregdetare, duke sekuestruar të gjitha çadrat dhe shezlongjet që kishin zaptuar hapësirat publike, duke e bërë lajm në mediet televizive.

Kurse më 4 gusht kaloi projektvendimi: “Për subjektet që paguajnë brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, tarifa e plazheve private për sezonin turistik të vitit 2014 është në masën 100 000 lekë”.

OPOZITA

Nuk dihet nëse mungesat që u panë nga opozita (po të përkthejmë në “durrsakishte” një idiomë të famshme jugore, “katandis sa gjeli një llokmë”) kishin të bënin me ndonjë marrëveshje të heshtur.

Në tre diskutimet e përfaqësuesve të opozitës që ishin të pranishëm në mbledhje, dy nga PD-ja dhe një nga PR-ja, u vu në dukje se letra e 22 subjekteve ishte pa numër karte identifikimi dhe NIPT-i të nënshkruesve.

Ish-kryetari i Këshillit të Qarkut z. Armand Teliti e konsideroi këtë lehtësim fiskal si klientelizëm, shkelje të barazisë, cenim të konkurrencës, dëmtim të bizneseve të ndershme dhe kërkoi rimbursim për ato subjekte që kishin paguar nga 300 mijë lekë.

Teliti ishte në vështirësi, pasi e shihte që mazhoranca e sotme vendore kishte kopjuar “babanë” e tij shpirtëror z. Sali Berisha me faljen e debitorëve të energjisë elektrike.

PËRLIGJJA

Pasardhësi i Telitit, njëkohësisht dhe kryetar i PS Durrës z. Alfred Mullaraj shpjegoi se po ndihmohen biznese që plazhet private i kanë si aktivitet primar, ndryshe nga hotelet, restorantet që plazhet private i kanë si aktivitet të tretë e të katërt.

Gjithsesi, në ndonjë diskutim nga përfaqësues i LSI-së dhe nga përgjigjet e dhëna nga punonjës të administratës së bashkisë dhe nënkryetari z. Arbër Braho kishte njëfarë sikleti për të përligjur këtë masë.

Kurse grupi i PDIU-së e mbështeti nismën e bashkisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/