Itali, 31 korrik 2014 – Rei Manaj është kthyer në një protagonist të merkatos së verës mes klubeve të Serisë. Sulmuesi 17-vjeçar shqiptar, pas një viti huazim te Sampdoria, është kthyer përsëri te Kremoneze, ku nuk do të rrijë për shumë kohë, pasi për të kanë filluar të interesohen klubet më të mëdha të futbollit italian, të cilat janë në dijeni të talentit të tij të jashtëzakonshëm. Që tani, gjysma e kartonit të Manajt vlerësohet 300 mijë euro nga Kremoneze, e cila drejtohet nga ish-futbollisti dhe trajneri i famshëm italian, Xhixhi Simoni.

Manaj, një sulmues “race” i datëlindjes 1997, në sezonin e kaluar luajti me skuadrën e Sampdorias, duke ndarë ditët mes bashkëmoshatarëve të tij (Allievi), ekipit të të rinjve të drejtuar nga Enriko Kieza dhe ekipit të parë të drejtuar nga Delio Rosi apo Sinisha Mihajloviç. Por pagesa nuk u krye siç ishte parashikuar, më datë 30 qershor, pasi në atë periudhë Sampdoria ndërroi president, duke kaluar nga duart e Garrones te Ferrero.

Pas disa ditësh heshtjeje, klubi xhenovez u interesua përsëri për të blerë kartonin e futbollistit, por tashmë Kremoneze kishte ndërruar mendje për shqiptarin. Presidenti i saj, Xhixhi Simoni, kërkon 300 mijë euro për gjysmën e kartonit të lojtarit, i cili i është bashkuar ekipit të parë të Kremonezes në përgatitjet për të marrë pjesë në kampionatin e Lega Pro, duke shënuar edhe në ndeshjet miqësore që ka zhvilluar kjo skuadër.

Sipas gazetës “Il Secolo XIX”, Kremoneze është e interesuar të mbajë të bllokuar për momentin sulmuesin shqiptar, duke parë interesimin në rritje të klubeve të mëdha si Juventus, Roma e Palermo. Këto klube kanë kërkuar informacione më të hollësishme për të dhe duket se janë të gatshme të bëjnë investimin e duhur për të siguruar shërbimet e tij. Situata e krijuar mes Sampdorias dhe Kremonezes duket se ka filluar të shqetësojë sulmuesin shqiptar, Rei Manaj. 17-vjeçari, i kthyer në objektivin e merkatos së disa prej klubeve të rëndësishme italiane, ka mbetur për momentin i bllokuar në radhët e skuadrës të regjistruar në Lega Pro (kategoria e tretë italiane), pasi presidenti i klubit, Xhixhi Simoni, as që ka ndër mend ta shesë atë. Megjithatë, Simoni i ka premtuar djaloshit se do të jetë një titullar i rregullt me ekipin e parë në kampionat, duke qenë ndër të paktët 17-vjeçarë që mund të aktivizohet në nivele të tilla.

“Ëndrra ime mbetet e njëjtë, të shënoj një gol në minutën e fundit në derbin kundër Xhenoas poshtë tribunës së ultrasve të Sampdorias. Unë kisha dëgjuar se Sampdoria dëshironte të blinte kartonin tim të plotë. Megjithëse klube të tjera kishin shfaqur interes për mua, unë nuk u kisha dhënë rëndësi ofertave të tyre, pasi dëshiroj vetëm Sampdorian”, deklaroi lojtari shqiptar për “Il Secolo XIX”. “Presidenti Simoni më ka thënë se ka besim tek unë. Më ka thënë se do jem i vetmi futbollist i datëlindjes 1997 që luan me ekipin e parë në skuadrat e Lega Pro. Po më thonë se do të luaj rregullisht”, tregoi ai diskutimet me drejtuesit e Kremonezes.

Megjithatë, sulmuesi nuk ngurron të tregojë se ky ndryshim i papritur i planeve, nuk ka kaluar pa pasoja për të. “Mundohem të qëndroj i qetë, që të mos mendoj shumë rreth asaj që po ndodh, edhe pse të gjithë këto gjëra që po ndodhin më kanë ngatërruar pak. Si e shoh situatën? Të komplikuar. Unë shpresoj me zemër që të kthehem sa më parë në Xhenova, por për momentin jam pjesë e Kremonezes dhe do të jap maksimumin këtu”.

Ndërkohë, presidenti i Kremonezes, ish-futbollisti dhe trajneri i njohur italian, Xhixhi Simoni, ka treguar këndvështrimin e tij rreth kësaj situate të krijuar. Sipas tij, Sampdoria dhe lojtari ishin në dijeni të kontratës së huazimit me të drejtë blerje sipas afateve dhe çmimit të caktuar. Meqenëse klubi xhenovez nuk ka ushtruar të drejtën e vet kontraktuale, tashmë Kremoneze kishte vendosur të mbante futbollistin.

“Nuk ka asgjë të fshehtë në këtë mes, situata është e qartë. Sampdoria kishte të drejtën e blerjes së gjysmës së kartonit të djaloshit me vlerën 100 mijë euro, të drejtë që duhej ta ushtronte brenda datës 30 qershor. Klubi i Sampdorias nuk bëri konfirmimin e ushtrimit të së drejtës dhe Manaj u kthye në pronësi të Kremonezes”, shpjegoi ai. “Në këtë pikë, kam vendosur ta mbaj këtu, me ekipin e parë, pasi dua të njoh më mirë dhe ta shoh se si luan. Ne me Sampdorian nuk kemi folur asnjëherë për para apo nuk kemi rritur çmimin e tij… për faktin e thjeshtë se për momentin kemi vendosur që të mos e shesim”, deklaroi Simoni.

Ky i fundit, gjatë karrierës së tij si trajner ka drejtuar skuadra si Torino, Napoli e Interi dhe ka lidhje me drejtuesit e skuadrave të mëdha. Nëse Manaj afirmohet në Lega Pro si një sulmues i aftë, atëherë për Simonin nuk do të jetë e vështirë të negociojë me klubet e mëdha për shitjen me një vlerë shumë më të lartë të kartonit të futbollistit shqiptar.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/