Tiranë, 31 korrik 2014 – Në Kuvend vijojnë diskutimet rreth reformës territoriale. Lidhur me këtë të fundit janë dorëzuar 3 amendamente: njëri i deputetit të PS-së Andrea Marto dhe tjetri i PDIU dhe një tjetër nga Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së.  Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, akuzoi kryeministrin se nëpërmes ndarjes së re territoriale do t’i bëjë dhuratë Himarën një mikut të tij deputet.

“Në Himarë për këdo që shkon të vret syrin nga ana qytetare disa ndërtime monstruoze. Investitori i atyre ndërtimeve ka emër dhe mbiemër dhe fatkeqësisht është këtu mes nesh. Pikërisht ai njeri i cili rastis të jetë njeri i afërt i Kryeministrit kërkon dhuratë zonën e Himarës. Ashtu siç i ka nxjerrë sytë deri më sot të heqë dhe vetullat dhe ta shkatërrojë atë në tërësi dhe më vjen çudi se si kryeministri pranon t’u bëjë miqve dhe shokëve dhuratë si çiflig një zonë të tërë dhe dëshiroj ta garantoj se ai ka një rrënjë prej aty se qehajallarë himariotët nuk bëhen. Aty do jemi, aty do ndahemi me referendumin konform ligjit dhe Kushtetutës së Republikës . Është ai populli sovran që me referendum do të thotë fjalën e vet”, tha Dule.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/