Durrës, 31 korrik 2014 – Një i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar si pjesëmarrës në organizata kriminale me qëllim trafikun e drogës është arrestuar nga policia e Durrësit.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm është arrestuar shtetasi Asjan Buqeza, 55 vjeç, banues në Shën Vlash.
Policia sqaron se Buqeza ishte shpallur në kërkim nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës në datë 19 prill të vitit 2012, pasi autoritetet gjyqësore të Milanos, Itali kanë lëshuar më datë 06.05.2005 ndaj tij urdhër arresti për veprën penale “Pjesëmarrje në organizata kriminale me qëllim trafik droge”.
Për këtë vepër Buqeza është dënuar në vendin fqinjë me 30 vite burg. Pas arrestimit të këtij shtetasi materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së rrethit Durrës me qëllim ekstradimin e tij në drejtim të shtetit italian.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





