Britani e madhe, 31 korrik 2014  – Kryeministri i Britanisë së madhe, Devid Kamerun (David Cameron) dhe ministrja e brendshme konservatore Tereza Mej (Theresa May) vizituan banesën në qytetin Slou (Slough) të Kontesë së  Berkshajerit, ku policia kufitare angleze kapi katër klandestinë shqiptarë.

Vizita u bë me qëllime të qarta propagandistike, populiste dhe elektorale për të treguar se sa të rreptë janë konservatorët anglezë ndaj emgracionit klandestin. Fatmirësisht propaganda e kryeministrit konservator dhe e ministres së tij në kurriz të shqiptarëve pati efekt boomerang.

Shtypi anglez përfshirë dhe gazetën prestigjoze, konservatore britanike “The Guardian” e ka qortuar dhe qesëndisur me sarkazëm Kryeministrin Kamerun dhe ministren e brendshme për këtë pelegrinazh elektoral, ndër të tjera edhe në dëm të emigrantëve gjynahqarë (underdog) shqiptarë.

Kjo vizitë është kritikuar si veprim,  që të le shije të keqe. Fotot e kryeministrti dhe të ministres së brendshme në dhomën e ndenjes dhe në guzhinën e shtëpisë, ku u arrestuan katër emigrantët ilegalë shqiptarë, u quajtën si të pështira nga Shami Chakrabarti, drejtoreshë e Organizatës “Liberty”, që mbron liritë civile dhe Kancelare e Universitetit “Oxford Brooks” (ne foton poshte).

Ajo pyet: Kush i dha leje Kryeministrit të hyjë në shtëpinë e tjetrit pa vendim gjykate. Mos vallë Kryeministri do bëjë fushatë elektorale duke marrë pjesë personalisht në kontrollet e policisë për kapjen e klandestinëve?!

Tom Watson (ne foton poshte), parlamentar i Partisë Laburiste dhe ish nënsekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes, ish ministër për marrëdhëniet me parlamentin, e quan të pavend trukun propagandistik të Kryeministrit britanik. Emigrantët ilegalë kanë të drejtën e një procesi gjyqësor të paanshem. Me vizitën kryeministrore në banesën e tyre, avokatët e shqiptarëve fare mirë mund të pretendojnë për presion politik mbi policinë angleze.

Laburisti Watson ngre dyshime, për shkelje proceduriale nga Kryeministri si psh. mos qënia e emrit të kryeministrit në lejen e gjykatës për kontrollin e banesës së emigrantëve të paligjshëm.

Yvette Cooper, parlamentare laburiste dhe sekretare e brendshme hije shprehet se me retorikë dhe me gjeste prej punonjësi cirku, Kryeministri Kamerun kërkon të mbulojë dështimet e konservatorëve përsa i përket emigracionit klandestin.

Don Flynn i Rrjetit të të Drejtave të emigrantëve (Migrants Rights Netëork”, e quan vizitën kryeministrore pa shije dhe vëren se truku nuk mbulohet nga theksimi në njoftimin për shtyp, që vizita e Kryeministrit dhe Ministres së Brendshme në shtëpinë e e migrantëve ndodhi pas goditjes së policisë jo gjatë kohës, që po kryhej operacioni policor.

Nga vëzhgimi i fotove të kësaj vizite dhe nga kontaktimi i burimeve tona të informacionit në Mbretërinë e Bashkuar vumë re një fakt interesant. Kryeministrit Kameron i tregohen nga policët edhe pasaportat e shqiptarëve emigrantë ilegalë.

Pikërisht ky fakt shërben për të provuar se operacioni i policisë nuk ishte një veprim rutinë anti emigracion klandestin, por një truk propagandistik, që hedh hije dyshimi se segmente të caktuara të policisë angleze mund të jenë të politizuara. Nëse do ishte vërtet operacion policor antiemigracion klandestin, vëmendja e policisë do ishte përqëndruar te këto pasaporta, për problemet që ato mund t’i shkaktojnë Anglisë dhe popullit anglez. Fjala vjen njëra nga pasaportat biometrike shqiptare rezulton false e prodhuar e tillë nga sistemi. Kjo pasaportë rezulton e prodhuar pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama.

Në thelb pajisja me pasaporta false të prodhuara nga sistemi vazhdon edhe me ndërrimin e qeverive në Shqipëri. Ky është kryefakti, që duhet të bëjë të tingëllojnë zile alarmi, që nga ish kampioni i maratonës dhe vrapimit me pengesa aktualisht punonjës i Ambasadës angleze në Tiranë deri te Kryeministri “prestigjator”, Kamerun i Mbretërisë së Bashkuar. Të tilla pasaporta janë rrezik për sigurinë kombëtare të Anglisë (rreziku terrorist), jo emigrantët e mjerë shqiptarë, që shkojnë në Angli me një mijë e një vështirësi për të siguruar bukën e gojës.

Qeveria Rama dhe truku i Kryeministrit Kamerun

Gjesti i kryeministrit Kamerun shkaktoi një stuhi protestash e reagimesh në Anglinë e qytetëruar, ndërsa Kryeministri shqiptar dhe disa nga ministrat e tij si psh. zoti Tahiri apo z. Veliaj e kanë bërë vazhdë pjesëmarrjen në truke të tilla propagandistike.

Kujtoni psh. “Bravo Cuna!” në Facebook-un e Ministrit Tahiri, daljen në konferencë shtypi me sfond policë me maska, bërjen e infermierit dhe sanitarit me vogëlushin rom si ministri Veliaj, apo hyrjen në galeri minierash duke lavdëruar pronarët për “mrekullitë”, që po bëjnë në miniera, ndërsa tunelet e galeritë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish njëlloj, në mos më shumë se në kohën e qeverisë Berisha, që u zëvendësua nga 1.000.000 shuplakat rilindase.

Ustai anglez i marrëdhënieve me publikun Campbel, që këshillon Qeverinë Rama në këtë fushë, siç duket ka sjellë në Shqipëri truket më të pahijshme të politikës angleze.

Një veprim i tillë më kujton “biznesmenët” italianë kryesisht nga jugu i Italisë, që në fillim të viteve 90-të, sillnin gjithfarë lloj veshjesh e këpucësh italiane demode për t’ua shitur shqiptarëve si frëngut pulën. Atëherë shqiptarët e sapo dalë nga ahuri i errët i komunizmit,  i blinin, sepse ishin të jashtme, sepse ishin italiane, sepse fundi i fundit tregu kishte uri të pamasë për mallra. Sot ne kemi evoluar aq shumë sa t’u themi jo faleminderit “mallrave” demode në fushën e marrëdhënieve me publikun, që Usta Campbell-i dhe ish padroni i tij kanë gjetur syleshë si Qeveria Rama për t’ia shitur po prapë si frëngut pulën.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/