· Regjisorët amerikanë me famë botërore si Quentin Tarantino, J. J. Abrams, Christopher Nolan, Judd Apatow duan të bindin studiot të mos heqin dorë nga pelikula e Kodak-ut, ndryshe do të jetë tragjedi për kinematografinë
DURRES, 31 korrik 2014 – Disa regjisorë të famshëm të Hollivudit, mes tyre Kjuentin Terentinou (Quentin Tarantino) dhe Xhej Xhej (J. J.) Abrams, dolën në mbrojtje të fabrikës së fundit që ka mbetur nga firma Kodak, prodhuese pelikulash filmi dhe që është nën kërcënimin e mbylljes.
Në vitin 2006 shitjet në botë të kino-pelikulave ranë me 96 për qind për shkak se kineastët po kalojnë aktivisht në pajisjet digjitale.
Terentinou, Abrams, si dhe regjisorët Kristofer Noulen (Christopher Nolan) dhe Xhad Epetou (Judd Apatow) duan të bindin kinostudiot të blejnë një sasi të caktuar pelikulash gjatë disa vjetëve.
Përfaqësues të Kodak-ut informuan botimin Wall Street Journal (WSJ) se një marrëveshje e tillë mund të shpëtojë fabrikën në Roçester (Rochester).
Sipas WSJ-së, studiot kanë bërë tashmë porosi paraprake te Kodak-u dhe po negociojnë kushtet e marrëveshjes.
Edhe pse shumica e kineastëve kanë kaluar plotësisht në pajisjet digjitale, disa vazhdojnë të përdorin filmin në celuloid.
Standard për xhirimet
Xhej Xhej Abrams-i, i cili po punon me pjesën e shtatë të sagës kinematografike “Star Wars” (Luftërat e yjeve), po xhiron me celuloid.
“Në celuloid, ka diçka padyshim të bukur, organike, të natyrshme dhe të gjallë", – thotë regjisori.
Sipas tij, celulodidi krijon një standard të caktuar për xhirimin, dhe nëse mungon, atëherë do të humbasë etaloni i pasqyrimit kinematografik.
Sipas Xhad Epetou-t, edhe “digjitali”, edhe celuloidi janë “zgjedhje e mirë”, por nëse papritmas kineastët nuk do të kenë mundësi të xhirojnë në celuloid, kjo do të jetë tragjedi.
Siç pritej, studiot do të angazhohen për të blerë çdo vit një shumë të caktuar celuloidi për disa vjet.
Bashkëpronari i kompanisë filmike Weinstein Company Bob Vajnshtajn (Weinstein) ka pranuar se për këtë hap e shtyu Kjuentin Terentinou.
Deri në fund të këtij viti, fitimi nga shitja e celuloidit pritet të jetë më pak se 10 për qind e të ardhurave totale të Kodak-ut, por mbyllja e plotë e fabrikës mund të jetë goditje për imazhin e kompanisë.
Deri më sot, Kodak-u është e vetmja kompani e madhe që prodhon pelikula për kinemanë.
Zëdhënësja e kompanisë Luizë Kiho (Louise Kehoe) në një intervistë me botimin The Hollywood Reporter, nënvizoi se Kodak-u po shpreson në arritjen e një marrëveshjeje me studiot.
/përgatiti sipas BBC-së th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





