Durrës, 31 korrik 2014 – Shqiptarët të tërhequr nga pagat më të mira dhe më shumë mundësi punësimi në Angli po tentojnë gjithnjë e më shpesh të hynë në këtë vend ilegalisht për të punuar dhe jetuar atje.

Kjo ëndërr për shqiptarët realisht ka një çmim të lartë. Vetëm këto 20 muajt e fundit mbi 300 shqiptarë janë burgosur në përpjekje për të hyrë ilegalisht në Angli apo se kanë ndërtuar rrjete klandestine për të futur shqiptarët pa dokumenta në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.

Banda shqiptarësh të specializuara në trafikun e klandestinëve drejt Anglisë janë arrestuar në Itali, Francë, Spanjë, Maltë, Greqi, Portugali, Belgjikë dhe Holandë. Janë arrestuar edhe dhjetra e dhjetra shqiptarë, krimi i vetëm i të cilëve është se kanë tentuar të hyjnë në Angli pa dokumenta ose me dokumenta të falsifikuara.

Në kërkim të ëndrrës angleze disa shqiptarë kanë humbur dhe jetën, duke u mbytur në La Mansh apo kanë vdekur nga asfiksia në kontejnerë e kamionë ndërsa udhëtonin ilegalisht  drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Pasi Skotland Jard-i britanik, në bashkëpunim me policitë e disa vendeve evropiane, goditi me sukses rrjete trafikantësh shqiptarë në Itali, Francë, Spanjë e Belgjikë, trafikantët shqiptarë ndoqën një rrugë të re trafikimi. Tashmë këto banda pajisin hallexhinjtë shqiptarë me dokumenta greke false dhe i hipin në aeroplanë të linjave Athinë – Dublin (Republika e Irlandës).

Më pas shqiptarët kalojnë kufirin tokësor dhe hynë në Irlandën e Veriut. Nga porti irlandezoverior i Belfastit ata me traget mbërrinë në portin skocez të Cairnryan-it. Kryesisht përdoren tragetet e shpejta të kompanisë “Stena Lines”, sepse kontrollet e policisë dhe të doganave janë më të pakta në këto tragete, që bëjnë 6 udhëtime në ditë midis Irlandës dhe Skocisë. Nëse je me pak fat për 2 orë e 15 minuta ke mbërritur në Skoci.

Një fatkeq i tillë ishte edhe shqiptari Konstantino Athanasopulos. Shqiptari refuzoi, që t’i tregonte emrin e vërtetë gjykatës irlandezo veriore, dhe u gjykua me emrin grek, që kishte në dokumentat falso greke. Këtë kartë identiteti ai e kishte blerë nga trafikantët e klandestinëve për 600 euro.

I gjithë udhëtimi nga Greqia në Skoci do t’i kushtonte rreth 2 000 euro. Fatkeqësisht ai jo vetëm nuk arriti në Skoci, por u kap ndërsa të dielën e shkuar po hipte në tragetin, që nisej nga Porti i Belfastit për në Skoci. Ai u dënua me tre muaj burg nga Gjykata e Belfastit. Pas vuajtjes së dënimit ai me urdhër gjykate do të dëbohet për në Shqipëri.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/