Tiranë, 31 korrik 2014 – Hetimi për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, është shtrirë dhe në disa institucione të tjera të rëndësishme.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar zyrtarisht informacion nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, për ndonjë rast të raportuar nga kazinotë apo lojërat e fatit, ku i arrestuari Ardian Bitraj të ketë lënë shuma të mëdha.

Informacioni që pritet të vijë nga kjo drejtori është me mjaft interes për hetimin, pasi në këtë mënyrë do të konfirmohet vërtetësia e dëshmisë së Bitrajt, që deri më tani për prokurorët është e mbuluar me hije dyshimi dhe mbart shumë pikëpyetje. 

Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Genti Gazheli, nuk ka hezituar të informojë prokurorët lidhur me subjektet që janë nën hetim për pastrim parash, mes të tjerash dhe kazino apo lojëra fati. Informacionet e servirura nga Gazheli mbahen sekret, pasi prokuroria e ka konsideruar këtë çështje si sekret shtetëror. 

Nje dite me pare Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dha te parin prononcim per mediat pas plasjes se skandalit ne institucionin qe ai drejton.

Me pas Fullani është parë dje të hyjë në selinë e Kryeministrisë, rreth orës 17:00. Mesohet se guvernatori ka takuar për rreth 30 minuta kryeministrin Edi Rama. Nuk bëhet e ditur asgjë se për çfarë është biseduar mes Fullanit e Ramës, por takimi zhvillohet pikërisht pas skandalit në Bankën e Shqipërisë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/