Tiranë, 28 korrik 2014 – Deputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima ka zhvilluar një takim me Piro Dhimën, ish-peshëngritësin e njohur shqiptar që sot është deputet i PASOK-ut në parlamentin grek.
Dhima është shprehur gjatë takimit me Kokëdhimën, se kishte ardhur me një ide negative për reformën territoriale, por pasi ka bashkëbiseduar me banorët ka krijuar një përshtypje krejt tjetër.
Kokëdhima dhe Dhima kanë rënë dakord që të bashkëpunojmë për reformën territoriale. Deputeti i PASOK-ut ka theksuar se, i pëlqen plani dhe se do të flasë me autoritetet greke sapo të kthehet në Greqi.
Gjithashtu, ish-peshëngritësi ka pranuar ftesën e deputeti të qarkut të Vlorës që i drejtohet dhe të gjithë himarjotëve të suksesshëm nëpër botë, për të bashkëpunuar për zhvillimin e kësaj krahine të bukur e të lavdishme.
I pranishëm në takimin e Kokëdhimës dhe Dhimës, takim që ka zgjatur rreth 30 minuta, ishte edhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro.
Postimi i Kokëdhimës në Facebook:
Fotot që sapo postova u bënë gjatë takimit tim me deputetin e PASOK-ut në parlamentin grek, Piro Dhima. Piro Dhima është nga Himara. Takimi u zhvillua tek Hotel Valta në Qeparo dhe zgjati rreth 30 minuta. Në takim mori pjesë edhe Jorgo Goro, Kryetari aktual i Bashkisë së Himarës.
Tema e takimit ishte reforma territoriale. I shpjegova Piros pikëpamjen e Qeverisë Shqiptare për bashkimin e Himarës me Vranishtin, çfarë përfiton Himara nga ky bashkim dhe çfarë ndryshon në territorin e saj, në përbërjen e popullsisë, në ekonomi, në strukturën dhe standardet e Bashkisë së re, etj.
Gjithashtu i shpjegova se Dulja e Bollanua e kanë kundërshtuar këtë zgjerim të Himarës në drejtim të Vranishtit për interesa partiake e politike.
Piro më shpjegoi se ishte prej disa ditësh në Himarë, kishte ardhur me një ide negative për reformën, por pasi kish takuar njerëzit dhe kish folur me ta, kish krijuar një përshtypje krejtësisht tjetër.
Ne ramë dakord që të bashkëpunojmë për reformën territoriale sepse kjo i shërben të ardhmes së Himarës. Ai më tha drejtpërdrejtë se plani juaj është i bukur dhe se do të flasë me autoritetet greke sapo të kthehet në Greqi.
Gjithashtu ai e priti shumë mirë ftesën time drejt tij dhe të gjithë himarjotëve të suksesshëm nëpër botë, për të bashkëpunuar për një zhvillim të merituar të kësaj krahine të bukur e të lavdishme. Takimi u përshkua nga fryma e mirëkuptimit të plotë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





