Sarandë, 28 korrik 2014  – Kamerierja 18-vjeçare, e cila u rrëmbye në vendin e saj të punës me qëllim për ta trafikuar, ka rrëfyer dje për grupin e hetimit aventurën prej gati një muaji në qytetin e Sarandës. 

Vajza me inicialet M.I. i rrëfeu policisë se me Endrit Kabilin (Endrit bosi e thërrisnin në Shijak), ishte njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Ajo kishte vendosur të ikte nga fshati i saj Zall-Herr i Tiranës, me djalin shijakas, që i rrëmbeu zemrën që në takimin e parë, duke vjedhur edhe të gjitha paratë, që ishin kursime të familjes së saj. 

NJOHJA 
“U njoha me Endrin përmes Facebook-ut. Unë banoj në Zall-Herr, ndërsa Endri (Kabili) jeton në Shijak. Përmes FB këmbyem edhe numrat e celularit. U lidhëm në telefon dhe një ditë prej ditësh e lamë të takoheshim në Tiranë. Mora nga shtëpia, pa më parë askush nga të familjes, 1 milion e 100 mijë lekë të vjetër dhe 400 euro (kursimet e familjes) dhe u takova me Endrin në Tiranë. Ai më nxiti që të largoheshim nga Tirana. Morëm një taksi me qëllim ardhjen në Sarandë. 10 ditët e para qëndruam në një hotel, derisa një ditë prej ditësh gjithë lekët që kisha marrë nga shtëpia mbaruan. Atëherë Endri më thotë që s’kemi më lekë dhe t’i duhet të dalësh të na sigurosh para se nuk kemi me se të mbahemi. Unë nuk e pranova dëshirën e tij dhe i thashë se nuk mund ta bëj këtë gjë. Në një nga plazhet e Sarandës Endri takoi Ermalin (Ermal Taka, 26 vjeç, edhe ky nga Shijaku). Më la tek ai dhe vetë u largua, duke i thënë: Merre punoje të nxjerrë lekët e qirasë…”. Kështu ka deklaruar 18-vjeçarja në polici, ndërsa aventura e saj vijoi me pesë djemtë e tjerë, te të cilët e la “i dashuri” i saj. 

AVENTURA 
Sipas dëshmisë së vajzës nga Zall-Herri, Ermal Taka e kishte marrë atë te shtëpia që ai jetonte me qira (një banesë në pallatin social që ka dhënë Bashkia e Sarandës për të pastrehët, në hyrje të qytetit.) “Ermali ishte këtu vetë i pestë me shokë të tjerë. Nga këtu, pas disa ditësh u larguan në një shtëpi tjetër, në një pallat në qendër të qytetit. Më morën edhe mua me vete. Nisa të kërkoja punë dhe gjeta një pune si kameriere te një lokal, ku punova deri dy ditë më parë”, është shprehur 18-vjeçarja. Ajo ka deklaruar se është shfrytëzuar seksualisht vetëm nga Endri dhe Ermali. Pas rrëmbimit të saj në lokal nga pesë persona të maskuar, policia nisi aksionin dhe M.I. u gjet në një hyrje pallati në qendër të qytetit. Në banesë, përveç saj, u gjet edhe Ermal Taka, Përparim Breçani, Arlind Maroshi, Amaril Maroshi dhe Ramiz Cenaj, të gjithë banues në Shijak, Hamallaj e Manëz të Durrësit, të cilët u arrestuan. Operacioni i policisë vijoi dhe u arrestua edhe i gjashti që ishte në kërkim për këtë ngjarje. Sipas Policisë, në orët e vona të së shtunës u kap në Durrës edhe Endri Kabili, 20 vjeç, apo Endri bosi (nofka me të cilin ai njihet në Shijak). Ai është personi që M.I. u njoh me të në Facebook dhe u bë promotori i kësaj aventure, që përfundoi me gjashtë të arrestuar. Mësohet se të arrestuarit në Sarandë kanë tentuar t’i rezistojnë policisë. Ata kanë dalë në derë duke mbajtur thika në dorë e duke kërcënuar për të mos u dorëzuar se “nuk kishin bërë gjë”. Ata kanë pretenduar se e kanë rrëmbyer 18- vjeçaren nga frika se ajo do të përdorej nga pronarët e lokalit. 

Nëna: Hera e parë që vajza largohet 
Familja e vajzës kishte bërë denoncimin rreth 25 ditë më parë, kur 18-vjeçarja ishte larguar nga banesa pa lënë asnjë gjurmë. Ata janë sinjalizuar nga policia dhe kanë mbërritur menjëherë në Sarandë, ku dje e kanë marrë të bijën drejt Tiranës. “Asnjëherë nuk kemi pasur problem me vajzën. Është hera e parë që largohet nga shtëpia. Që ditën që u largua, njoftuam në polici për zhdukjen e saj. Kurrë nuk e kam menduar se do e gjeja të përzier në këtë situatë. E kam fëmijën e dytë, pas djalit 20 vjeç”, është shprehur në polici nëna e saj. 

/gazeta "Panorama"/