Tiranë, 28 korrik 2014 – Një vit pas vrasjes makabre të një 46- vjeçareje pranë qendrës së Tiranës, e cila u qëllua katër herë më thikë në mes të rrugës nga ish-bashkëshorti i saj, Gjykata për Krimet e Rënda shpalli vendimin përfundimtar për autorin.
Sipas Krimeve të Rënda, i akuzuari për këtë vrasje, Genci Çarçani, do të vuajë 16 vjet heqje lirie. Në përfundim të katër seancave shqyrtimi gjyqësor, ai u shpall i fajshëm për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në dëm Valbona Çarçani, nënë e dy fëmijëve, me të cilën ishte divorcuar në vitin 2011.
I pandehuri Çarçani u dënua me 24 vjet burg, nga 30 që kërkoi prokuroria në pretencë. Por ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak se shqyrtimi i dosjes penale në ngarkim të tij te Krimet e Rënda u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Genci Çarçani është personi i parë që u hetua nga Prokuroria për Krimet e Rënda, nga koha kur krimet brenda familjes i kaluan për kompetencë kësaj prokurorie.
Sipas Gjykatës, ai u dënua me 23 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe me 5 vjet heqje lire për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta’. Në bashkim të dënimeve, gjykata caktoi ndaj tij një dënim të vetëm me 24 vjet burg.
/Panorama/





