Itali, 23 korrik 2014  – Një familje shqiptare në Itali është plagosur me thikë nga pronari i banesës ku jetojnë, pasi nuk i kishin shlyer detyrimet e qirasë prej gati 6 muajsh. Mbrëmjen e djeshme, pronari i apartamentit, 42-vjeçari Alessandro Di Chiazza, ka trokitur në derën e shtëpisë për të kërkuar paratë, dhe në debat e sipër ka goditur me thikë në qafë kryefamiljarin Bashkim Lloti, 41 vjeç. Sipas mediave italiane, familja Lloti jetonte në një apartament në rrugën “Monte Grande” në Abano Terme të Italisë, por nuk kishte mundësi financiare për të paguar qiranë. 

Bashkëshortja dhe vëllai i Bashkimit janë përpjekur të mbrojnë të afërmin e tyre, por janë qëlluar me thikë nga 42-vjeçari italian. Mësohet se të plagosurit e tjerë janë Raimonda Lloti 34 vjeç dhe Afrim Lloti 30 vjeç. Familja shqiptare është dërguar menjëherë në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë karabinierët kanë arrestuar autorin e krimit, 42-vjeçarin, Alessandro Di Chiazza.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/