Spanjë, 23 korrik 2014– Jamez Rodriguez prezantohet në Bernabeu. “Këpuca e Artë” e Brazil 2014 u prezantua si futbollisti më i ri i Realit të Madridit në ambientet e stadiumit Santiago Bernabeu, ku për ti dhënë mirëseardhjen talentit të madh të Botërorit ishin të pranishëm plotë 45 mijë tifozë.
Me 80 milionë Eurot që Los Blancos derdhën në arkat e Monacos, James Rodriguez u shndërrua në blerjen e tretë më të shtrenjtë të të gjithë historisë së Realit pas Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldos por edhe në më të shtrenjtën e kësaj merkatoje vere. Te kampionët e Europës, 23-vjecari kolumbian do të mbajë veshur fanellën me numër 10 që ishte e lirë pas largimit të Mesut Ozil, për te Arsenali.
Përpara se të fliste si një lojtar i Realit James Rodriguez në praninë e presidentit Florentino Perez, nënshkroi edhe kontratën që do ta lidhë me klubin merenges për 6 sezonet e ardhshme, nga e cila do të arkëtojë një pagë vjetore prej 7 milion euro në sezon. Tifozët kalojnë në delir për atë cka përflitet si goditja e këtij viti për merkaton e “Los Blancos”-ve.
Gjatë prezantimit zyrtar të James Rodriguez në Real Madrid, një tifoz ka zbritur në fushë me vrap, duke shkuar në drejtim të sulmuesit kolumbian. Tifozi e përqafoi 23 vjeçarin, por i menjëhershëm ishte intervenimi i sigurimit, i cili e largoi tifozin. James u tregua mjaft human, duke e marrë vetë tifozin me fanellë të Kolumbisë dhe duke e drejtuar kah tribuna.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





