Durrës, 23 korrik 2014 – 36-vjeçari nga Manza, Roland Farruku i shpëtoi për mrekulli atentatit të orëve të para të mëngjesit të së martës, në afërsi të Maminasit.

Në policinë e Durrësit janë shoqëruar më shumë se 15 persona për të dhënë dëshminë e tyre lidhur me ngjarjen ose njohjen që kanë me të plagosurin. Burime nga policia e Durrësit bënë me dije se 37-vjeçari kishte qenë në Durrës dhe po kthehej në shtëpi në momentin që persona ende të paidentifikuar i kishin zënë pritë në Maminas.

Sipas policisë, autorët e krimit kanë qëlluar 22 herë në drejtim të tij. Tre prej plumbave përfunduan në trupin e Farrukut, ndërsa 19 të tjerat në automjetin me të cilin lëvizte. Sipas bluzave të bardha, 36 vjeçari Farruku ndodhet i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet e policisë për të zbardhur tentativën për vrasje të Farrukut janë përqendruar tek e kaluara e tij. Mësohet se i plagosuri është person me precedentë penalë dhe akuzohet për vepra të ndryshme, që nga trafikimi i lëndëve narkotike deri në vrasje.

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga krimi, policia nuk ka asnjë emër të dyshuar si autor të atentatit. Përfshirja e 36 vjeçarit Farruku në trafikun e lëndëve narkotike para vitit 2007 dhe konfliktet që ai mund të ketë pasur me personat me të cilët ka punuar është një nga pistat ku janë përqendruar hetimet.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 36-vjeçari, baba i dy fëmijëve, akuzohet edhe për një vrasje të ndodhur pak vite më parë në Hollandë. Familja Farruku edhe më herët ka qenë pjesë e një hetimi.

Në vitin 2012, gjykata e Durrësit, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit, vendosën sekuestro preventive të pasurisë së familjes, një pronë në Gjirin e Lalëzit me vlerë 920 mijë euro si dhe një llogari 6 milion e 271 mijë lekë, të cilat dyshoheshin se ishin vënë nëpërmjet aktivitetit të paligjshme të trafikut të drogës në të cilin ishin përfshirë anëtarë të familjes Farruku. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/