Fier, 23 korrik 2014 – Merushja mbarte emrin e gjyshes së saj. Kishte shërbyer prej vitesh si një ogur i mirë bashkimi dhe vijimësie në familjen Vrapi. E rrethuar nga një mori problemesh, që në moshë të vogël kishte marrë përsipër që të shërbente në shtëpitë e saj si e rritur; të kujdesej për vëllain e sëmurë, për vëllain më të vogël, të qëndronte afër kushërirës së braktisur nga e ëma dhe të kujdesej për xhaxhain e madh, që shpesh ndjehej i braktisur nga të tijtë. Kështu ishte rritur Merushja, vajza dje duhej të vinte në gisht unazën e fejesës me një djalë me të cilin pritej të lidhej me mblesëri. Pikërisht vajzën që aq shumë e donte, xhaxhai i madh, ai për të cilin kujdesej që në moshë të mitur, i mori jetën me një saçme në kokë. Kjo ndodhi në dhomën ku Merushja po përgatiste ato pak qerasje për të shtruar tavolinën e jetës së saj, vetëm 3 orë më vonë. Ajo do të fejohej me mblesëri. Për këtë ngjarje tradicionale, vajza që ende nuk i kishte mbushur 17 vite, priste t`i vinte mbase djali i ëndrrave, djali që ajo nuk e kishte parë kurrë, por që do të pranohej prej saj se “garant” i kësaj lidhjeje ishte burri i hallës së saj. Vajza, që nuk arriti të shikonte dot njeriun për të cilin po shtronte drekën, u kthye në një theror të një tragjedie të asaj familjeje që ajo i shërbeu aq shumë.

Pikërisht kjo fejesë duket se është një nga shkaqet e konflikteve të tjera që duket se i ka vënë kapakun gjithçkaje dje në fshatin Suk të Roskovecit në Fier. Xhaxhai i madh, Barjami, që e kishte dashur si bijë të vetën, në mungesë të një vajze të tij biologjike, me një armë gjahu teke, rrënoi gjithë “kështjellën” e saj. I vrau të atin, Xhemalin, xhaxhain e vogël, Besimin, nënën Dritën, dhe më pas edhe atë. Merushja, ndërroi jetë rreth 30 minuta para se Barjami, 73 vjeç, t`i jepte fund edhe jetës së tij, duke shkërmoqur gjithçka që Merushja kishte rritur me aq mund mes vëllezërve dekada më të mëdhenj në moshë. Në mbrëmje, policia autori i dyshuar i masakrës, dyshohet se kishte debatuar me djalin e tij, ndërsa në fshat banorë të ndryshëm mësohet se i kanë thënë policisë se ai ishte shprehur se do t’i vriste vëllezërit e tij, pasi po e shtinin në konflikt me djalin e tij. Madje në grindje e sipër një natë më parë mësohet se ai ka marrë edhe armën e gjahut, por se bashkëshortja ia kishte hequr nga duart dhe e kishte dërguar në shtëpinë e një prej vëllezërve ndërsa dje në mëngjes me shpresën se gjakrat ishin shuar gruaja kishte marrë teken sërish në shtëpi.

Masakra

Fier, Suk i Sipërm! Ora ishte rreth 08.15 e mëngjesit, kur Barjam Vrapi, 73 vjeç, kaloi gardhin e rrethimit të banesës së tij dhe hyri në oborrin e shtëpisë së të vëllait, Xhemalit, 69 vjeç. Aty kishin nisur përgatitjet për drekën që do të shtrohej në shenjë të fejesës së vajzës së tij, Merushes, pa i mbushur ende të 17-tat. Në oborrin e Xhemalit është gjendur edhe vëllai i tyre, Besimi, 60 vjeç, i cili ishte ftuar të ishte i pranishëm në drekën e fejesës së të mbesës, pasi Xhemali dhe Besimi, përveç se vëllezër, kishin patur edhe gratë motra. Nga kjo martesë, Besimi kishte vetëm një vajzë në moshën e Merushes. Në momentin që Bajrami ka mbërritur në oborrin e të vëllait, ai ka patur në duar armën e gjahut, një “teke” me leje, ndërsa në brez të lidhur mësohet se ka patur një rrip plotë më municion të armës. Personi i parë që i doli përpara qe pikërisht Besimi, vëllai i vogël. Pa hezitim ai qelloi ndaj tij duke e lënë të vdekur në cep të oborrit. Xhemali është nisur në drejtim të një stalle të vogël bagëtish që kishte pak larg nga shtëpia. Po ashtu qëlloi edhe mbi të duke e lënë të vdekur, mbi një pellg uji të zi të plehut të bagëtive. Më pas është kthyer në shtëpinë e vëllait në të cilën gjendeshin kunata e tij, Drita, bashkëshortja e Xhemalit, 43 vjeçe, vajza Merushja dhe bashkëshortja e tij, Afërdita.

Gruaja e Barjamit mësohet se ka dalë në shkallët e shtëpisë kur ka dëgjuar krismat, ka kërkuar të gjejë dy fëmijët e Xhemalit me idenë për t`i shpëtuar, por njëri kishte ikur me dele, i vogli, ndërsa i madhi, i cili është edhe i sëmurë, ka parë gjithçka në oborrin e shtëpisë. I pranishëm aty ka qenë edhe kunati i vëllezërve Vrapi, i cili ka mundur të ikë me shpejtësi nga vendi i përgjakjes dhe të fshihet. Të njëjtën gjë bëri edhe Afërdita, gruaja e agresorit, ndërsa ky i fundit hyri në banesë dhe qëlluar mbi nënë e bijë. Drita është gjetur e pajetë në një divan të vjetër, ndërsa vajza në dysheme. Më pas, Bajrami është nisur me armë në dorë duke kërkuar bashkëshorten e tij. Në oborrin e të vëllait, pas krimeve ai është përballur me Muçin (Mustafain), djalin e madh të Xhemalit, i cili është i sëmurë. Ka komunikuar me të për herë të fundit dhe është nisur në kërkim të Afërditës, bashkëshortes së tij dhe nënës së dy djemve të tij, Drinit dhe Martinit. Meqë gruaja nuk i është përgjigjur atëherë ka dalë në rrugë duke e thërritur në emër dhe duke e kërkuar tek dy-tri hyrjet e para të fqinjëve dhe të kushërinjve. Më pas, duket se ka hequr dorë nga kërkimi i saj.

Bashkëshortja: Dëgjova të shtëna dhe u fsheha të fqinjët

Pas masakrës Bajrami ka kërkuar të ekzekutojë edhe gruan e tij Afërditën. Me armë në dorë dhe me mbi 40 fishekë me vete ai ka kërkuar nëpër lagje gruan, e cila për t`i shpëtuar tërbimit të tij është strehuar 2 porta larg shtëpisë së saj, tek një i afërm i tyre. Gruaja, 56 vjeçe ka arritur të shpëtojë për mrekulli ndërsa ka rrëfyer për policinë gjithçka ka ditur nga konflikti mes burrit të saj dhe pjesës tjetër të familjes. Sipas policisë mësohet se gruaja t'u ketë rrëfyer se një natë më parë ia ka fshehur armën të shoqit nga frika e ndonjë vrasjeje. Po ashtu ajo ka treguar se bashkëshorti i saj një natë më parë ishte grindur edhe me djalin. Pas vrasjes së pesëfishtë gruaja mësohet se ka kaluar në gjendje të rënduar psikologjike ndërsa ka treguar se në mëngjes kishte shkuar të gatuante me kunatën Dritën dhe me Merushen: “Po gatuaja, pasi ne sot kishim fejesë, dhe do bënim drekë. Ishim mbledhur në banesë, kur unë dëgjova britma dhe ulërima. Më pas të shtëna. U tmerrova dhe ika me vrap. U fsheha te fqinjët dhe aty mora vesh se çfarë kishte ndodhur. Nuk di çfarë të them për motivin, jam e tronditur”, – është shprehur Afërdita Vrapi.

Policia: Krimi pas konflikteve për fejesën

Policia e Fierit që ka mbërritur në vendin e ngjarjes bashkë me një sërë ekspertësh, ka nisur menjëherë hetimet. Gjithçka është bazuar në rrëfimin paraprak që kanë dhënë dëshmitarët okular të ngjarjes ndërsa janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni të drejtpërdrejt me atë moment të frikshëm, bashkëshortja e autorit, Afërdita si dhe kunati i tre burrave viktima. Referuar të dhënave të para bëhet me dije se dyshimet bien mbi një konflikt që ka nisur pak ditë më parë në lidhje me fejesën e vajzës, pasi Barjami ka këmbëngulur që mbesa e tij nuk duhej të fejohej me personin që i kishte gjetur burri i motrës së tij.

Konflikti, sipas të dhënave, nuk lidhet vetëm me çështjen e fejesës së vajzës, pasi të dhënat kanë treguar edhe për ca konflikte të mbartura prej kohësh që lidhen më shumë me bashkëjetesën mes vëllezërve dhe pakënaqësitë që iu kishin mbledhur Barjamit me gjendjen që i ishte krijuar në shtëpi. Policia dhe Prokuroria e Fierit presin që pas kryerjes së cermonisë mortore për të pesë pjestarët e familjes Vrapi, të merren në pyetje të gjithë pjesa tjetër e kësaj familjeje që kanë qenë në dijeni të konflikteve.

Gjithashtu do të merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e njohjes edhe motra e tre vëllezërve Vrapi, e cila banon disa fshatra larg Sukut, po ashtu edhe të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes pas krimit të rëndë. Policia ka sekuestruar armën e krimit ndërkohë që në pyetje do të merren edhe dy djemtë e autorit, ku njëri mësohet se ka qenë në Vlorë, paraditen e djeshme, ndërsa djali tjetër jeton në Greqi bashkë me motrën e tij. Sipas burimeve të policisë së Fierit mësohet se përgjatë dëshmive të para është kuptuar qartë vetëm mekanizmi i ekzekutimeve, ndërsa familjarët kanë qenë kontradiktor për sa i përket motivit kryesor të vrasjes. Ndërsa kunati ka bërë me dije se Barjami ka qëlluar se nuk u thirr për drekën e fejesës së mbesës, fakt që përjashtohet nga gruaja e autorit, e cila ka qenë brenda në banesën e kunatit duke gatuar bashkë me kunatën dhe vajzën e saj.

Autori, pas 4 vrasjeve, takoi nipin e sëmurë: Ty nuk të vras

Bajrami, pasi la të vdekur në shtëpi dhe në oborr dy vëllezërit, kunatën dhe mbesën e tij, në oborr u përball me Mustafain, nipin e tij, djalin 19 vjeçar të Xhemalit. Aq sa ka mundur të fiksojë nga ai moment, djali i sëmurë tregon, xhaxhai i tij nuk ia ka drejtuar armën. E pa dhe në ikje e sipër i tha nipit: “Mos ke frikë, ty nuk të vras”. Djali ka qëndruar në oborr i vetëm përballë 4 të vdekurve, derisa kanë mbërritur fqinjët e parë, ndërsa Bajrami kishte marrë armën me vete dhe ishte nisur në kërkim të gruas së tij, që e kishte fiksuar si viktimën e radhës së çmendurisë së tij. Te shtëpia e kushëririt takohet pikërisht me Samiun, i cili kishte lënë punën në ara dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij kur kishte dëgjuar krismat. E ka parë Bajramin me armë në dorë dhe menjëherë i ka kërkuar armën, gjë që e ka acaruar fillimisht autorin e masakrës. Atëherë duke gjetur një mënyrë për të hyrë në një bisedë që ta qetësonte Bajramin, burri e fton të hynin bashkë në shtëpinë e tij, por edhe kjo nuk bëhej. Bajramit i duhej një telefon. Kishte vendosur të telefononte vajzën e gruas, e cila gjendej në Greqi, pasi ai vetë nuk kishte lekë në telefon. Sami Toska i vetëm, ka vendosur ta shoqërojë kushëririn e tij të armatosur. I ka dhënë telefonin të bënte telefonatat që donte por si duket fati nuk i ka qenë me të më. Vajza nuk i ka dalë në telefon, atëherë Xhemali ka provuar të telefonojë edhe një person tjetër që gjendej afër me shtëpi me njeriun që donte t’i thoshte diçka. As aty nuk ka arritur t’i thotë marrëzinë që kishte bërë, ndërsa Samiu ende nuk dinte se tashmë ishin katër të vrarë.

Vetëvrasja

Ndërsa Bajram Vrapi gjendej i ulur nën një hije fiku dhe kërkonte të lidhej me motrën e djemve të tij, ndonëse me asnjërin nga djemtë, edhe pse të voglin e kishte në shtëpi, nipi i Samiut thërret në telefon policinë. Fillimisht blutë janë shprehur dyshues për njoftimin e “çuditshëm” në telefon, duke u habitur nga numri i madh i viktimave. Djali ka këmbëngulur duke iu thënë të niseshin në drejtim të fshatit Suk të Sipërm sepse ishin katër të vrarë dhe se autori kishte marrë peng një person tjetër dhe kishte frikë se mos e vriste. Atëherë në drejtim të fshatit janë nisur disa vetura policie dhe në momentin që kanë mbërritur kanë gjetur Bajramin dhe Samiun duke biseduar sërish nën hijen e fikut. Policia ka bërë rrethimin e vendit me idenë që Samiu ishte peng i autorit të masakrës. Kanë nisur ta kërcënojnë ndërsa Bajrami iu ka thënë të mos afroheshin: “Rrini aty ku jeni. Kam bomba me vete e do iu vras”. Pasi ka thënë këtë, është ngritur bashkë me armën në dorë dhe ka kapërcyer parcelën me misër. Është afruar policia ndërsa në momentin që ka hyrë në parcelën e misrit, për të kaluar në një arë me bar, Barjami është ndarë nga Samiu. Është kthyer me fytyrë nga policia dhe Samiu, ka vendosur armën me qytë në tokë dhe me grykë poshtë mjekrës. E ka shkrepur duke i dhënë fund edhe jetës së tij, bashkë me misterin e madh të atij shkaku të çuditshëm që e bëri të shkretonte gjithë shtëpinë e tij.              

/shekulli/