Tiranë, 22 korrik 2014 – Mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve është shoqëruar me debate, pavarësisht mungesës së deputetëve të opozitës. Gjatë diskutimeve për gradat dhe emërimet në Policinë e Shtetit, kreu i komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se është i domosdoshëm ndryshimi i kritereve për emërimet në polici.
Deputeti Tom Doshi i cilësoi emërimet në Policinë e Shtetit si emërime politike. “Të gjithë drejtorët janë nga Tepelena. Siç është bërë në kohën e Berishës me tropojanët, po bëhet tani me tepelenasit”, tha ai.
Ndërsa deputeti tjetër socialist, Piro Lutaj, u shpreh se “nuk mund të ketë grada të njëjta për funksione të ndryshme, për funksione të njëjta të ketë grada të njëjta.”
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





