·        Qysh më 19 korrik 2013, plot 12 muaj, qyteti nr. 2 i Shqipërisë nuk ka shef përfundimtar të “togave të zeza”, vazhdon znj. Joanë Qeleshi

·        Ministri i Drejtësisë i propozon KLD-së futjen në rendin e ditës të zhvillimit të procedurës për ndreqjen e situatës absurde

DURRËS, 22 korrik 2014 –  Kreu i Drejtësisë në ekzekutivin shqiptar propozon zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Sikurse bëri të ditur më 22 korrik 2014 zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet një shkrese zyrtare, më 21 korrik 2014, titullari z. Nasip Naço i ka propozuar zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa përfshirjen në rendin e ditës të mbledhjes së 23 korrik 2014 të tre çështjeve, shqyrtimi i të cilave konsiderohet si prioritar, mes të cilave është edhe “zhvillimi i procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”.

Plot një vit më parë, më 19 korrik 2013 Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që Joanë Qeleshi të kryente përkohësisht detyrën e kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës deri në emërimin e kryetarit të ri nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (shih faksimilen).

Kjo për shkak se tri ditë më parë, më 16 korrik 2013, Ervin Metalla, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me dekret të Presidentit të Republikës dhe kryetar i KLD-së, Bujar Nishani, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Nuk dihet nëse KLD-ja do të fusë në rendin e ditës këtë kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, z. Naço, ose nëse po, a do të legalizohet si emërim i përhershëm kryetarja aktuale e komanduar apo ndonjë emër i ri.

Ka shkaktuar habi fakti që KLD-ja e le qytetin kryesor të vendit me kryetar gjykate të komanduar për 12 muaj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/