·        Numrin më të madh të kërkesave për ndihmë mjekësore e zënë sëmundjet kardiovaskulare, goditjet nga dielli dhe traumat

DURRËS, 22 korrik 2014 –  Në urgjencën e spitalit të Durrësit paraqiten 300-350 pacientë në ditë.

Burime zyrtare nga drejtoria e spitalit rajonal të Durrësit bëjnë të ditur se, nëse mesatarisht 150 persona në ditë kërkojnë ndihmën e parë në urgjencë, në korrik-gusht, për shkak të turistëve, kjo shifër shkon 300-350 pacientë.

Shefi i urgjencës Ashim Zogu thotë se stina e verës sjell këtu jo vetëm pushues vendas, por edhe nga Kosova, Maqedonia e shtetet e tjera.

Ekipi mjekësor i urgjencës po punon me ndërresa të kombinuara, për t’u ofruar qytetarëve shërbim 24-orësh.

Numrin më të madh të kërkesave për ndihmë mjekësore e zënë sëmundjet kardiovaskulare, goditjet nga dielli dhe traumat.

Ushqimet e pakontrolluara, jashtë datave të skadencës apo që nuk janë ruajtur në kushte frigoriferike, por edhe problemet me diellin shtojnë ndjeshëm rastet gastrointestinale.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/