Durrës, 22 korrik 2014 – Teuta është mundur në miqësoren e rradhës kundër një ekipi mjaft të mirë rus si Torpedo e Moskës, por në të vërtetë ka qenë një ndeshje ku Teuta nuk e meritonte aspak humbjen, pasi durrsakët kanë patur një mori rastesh që nuk arritën t'i finalizojnë.
Pjesa e parë ka qenë e shpejtë dhe durrsakët dominojnë krejtësisht lojën dhe dalin shpejt në sulm me qarkullime të shpejta të topit dhe rrezikojnë disa herë rusët që nga ana e tyre kanë patur vetëm një rast të rrezikshëm në portën durrsake megjithatë pjesa e parë përfundon në 0-0.
Pjesa e dytë ka të njëjtën pamje por durrsakët janë hedhur tottalisht në sulm ndërkohë që rusët zbresin me kundërsulme të rrezikshme kur në të 68 njëri nga sulmuesit rusë pengohet në zonë dhe rusët fitojnë një 11 metërsh që e kthejnë në gol.
Edhe pas këtij rasti loja durrsake nuk zbehet, por sulmuesit nuk arrijnë finalizimin edhe pse krijojnë raste të pastra ndërkohë që janë rusët që ndëshkojnë sërish në të 77 me anë të një kundërsulmi.
Durrsakët kanë zhvilluar një lojë të mirë, por sulmi ende kërkon përforcime pasi finalizimi i aksioneve të djemve të detit ka patur probleme ndërkohë që repartet e tjera kanë qenë në lartësinë e duhur.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





