Tiranë, 8 korrik 2014 – Pas 300 ditë qeverisje, tre ministra të kabinetit qeveritar duket se nuk e kalojnë provën e shpallur fillimisht nga kryeministri Edi Rama, pasi puna e tyre nuk u përgjigjet pritshmërive të qytetarëve, sfidave të qeverisë, planit të qeverisë dhe ambicies së koalicionit.
Kritikat për punën e tre anëtarëve të kabinetit, janë shfaqur në mbledhjen e qeverisë në Dajt, por edhe në mbledhjet e grupit parlamentar socialist shkruan gazeta “Sot”.
Po sipas të njëjtit burim, bëhet fjalë për Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi dhe një tjetër ministër. Sipas burimeve, kryeministri Rama është i pakënaqur me treguesit financiarë.
Ndonëse Rama nuk ka paralajmëruar ndonjë ndryshim të qeverisë në një kohë të shpejtë, tre ministrat në fjalë duket se janë sërish në provë nëse do t’u përgjigjen apo jo sfidave të kabinetit qeveritar në tërësi.
Po ashtu, kreu i qeverisë ka adresuar kritika shumë të ashpra ndaj deputetëve socialistë. Sipas burimeve nga selia rozë, shefi i ekzekutivit ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj deputetëve, duke u kërkuar llogari për zvarritjen e projektligjeve.
Kryeministri u ka kërkuar shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve brenda muajit korrik, kur pritet të mbyllet edhe kjo legjislaturë.
Ultimatumi i Ramës
Pavarësisht ndërhyrjes së Ruçit, kryeministri Rama u ka vendosur ultimatum ligjvënësve të majtë dhe ministrave të kabinetit se nuk do të dalin nga mbledhjet e komisioneve pa përfunduar shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve.
Sipas burimeve, shefi i ekzekutivit është treguar mjaft i ashpër dhe ndaj ministrave, se dhe këta të fundit duhet të përkushtohen më shumë ndaj ligjeve që shkojnë në Kuvend.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





