· Investim i konsiderueshëm në infrastrukturën e brendshme të qendrës më të madhe turistike të vendit, aty ku kryqëzohen korridoret e mëdha rrugore me rëndësi për Durrësin, Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit
· Zvogëlim i përmasës së karrexhatës, në këtë mënyrë ulet dhe shpejtësia e lëvizjes së makinave, duke qenë se ka intensitet të lartë të lëvizjes së këmbësorëve
· Krijim spotesh të integruara në hyrje të qytetit gjatë gjithë rrugës “Pavarësia” e në fund të saj në nënkalimin e Plepave
DURRËS, 8 korrik 2014 – Look më modern për rrugën e Plazhit, ku do të realizohen korsitë e biçikletave, të gjelbëruara dhe të ndriçuara rishtazi, në bashkinë e Durrësit po u jepet dora e fundit përgatitjeve për investimin e madh me një fond nga buxheti i shtetit, që arrin në 1,2 milion euro për vitin 2014 dhe që përfaqëson 83 për qind të fondit gjithsej.
170 440 260 lekë (1,2 milion euro), bashkia bregdetare ka marrë fond nga buxhetit i shtetit për projektin e realizimit të korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia” të Plazhit.
Ky është një investim i konsiderueshëm në infrastrukturën e brendshme të qendrës më të madhe turistike të vendit, aty ku kryqëzohen korridoret e mëdha rrugore me rëndësi për Durrësin, Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.
Në fakt, në buxhetin e shtetit janë parashikuar për këtë projekt 204 528 312 gjithsej, ku fondi për vitin 2014 kap 88 për qind të tij.
Është parashikuar që investimi të përfundojë për 180 ditë kalendarike.
PËRZGJEDHJE TRANSPORTI PUBLIK DHE CILËSI JETE
Sipas “qeverisë” vendore, projekti do të përmirësojë cilësinë e transportit të qëndrueshëm, do të rrisë mundësinë për përzgjedhjen e transportit publik, si dhe do të ngrejë cilësinë e jetesës nëpërmjet shtimit të hapësirave publike të një cilësie bashkëkohore.
Rikonceptimi i rrugës së plazhit bëhet duke zvogëluar brenda standardeve në fuqi përmasën e karrexhatës (italisht: carreggiata, anglisht: carriageëay /roadëay – pjesë rruge / korsi ku nuk lëvizin mjete me rrota); në këtë mënyrë ulet dhe shpejtësia e lëvizjes së makinave, duke qenë se plazhi ka një intensitet të lartë të lëvizjes së këmbësorëve.
Kjo sipërfaqe e hequr nga rruga kalon në funksion vendosjes së korsisë së biçikletave në të dy anët e rrugës.
Në projekt janë trajtuar ujërat e bardha, gjelbërimi, ndriçimi rrugor, sinjalistikat horizontale e vertikale.
Shtresat rrugore janë projektuar sipas standardeve evropiane.
OBJEKTIVA
Promovim i transportit urban të integruar; rikualifikim i hapësirës urbane në nënkalime, rikompozim sheshesh dhe ripërdorim i tyre; akses dhe organizim kalimi të këmbësorëve; administrim më efektiv i territorit, krijim spotesh të integruara në hyrje të qytetit gjatë gjithë rrugës së Plazhit e në fund të saj në nënkalimin e Plepave; nxitja e qytetarëve drejt një transporti të qëndrueshëm; kombinim i mirë mënyrash transporti publik me atë të biçikletave; mbrojtje e këmbësorëve dhe prioriteti i lëvizjes se tyre.
PRITSHMËRI PAS ZBATIMIT TË PROJEKTIT
Shtim linjash transporti publik dhe rritje shërbimi ndaj qytetarëve; promovim lëvizjeje te qëndrueshme; integrim përdorimi transportesh të ndryshme; zëvendësim i infrastrukturës ekzistuese elektrike me teknologji konsumi të ulët energjie (ulje rreth 60 për qind konsumi energjie nga llambat e përdorura gjerësisht aktualisht në zona të tjera të qytetit); ndërtim infrastrukture të gjelbër; krijim mikroklimash në nënkalime me kombinim zonash të hijezuara me ato të diellzuara etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





