Durrës, 7 korrik 2014 – 5 vjedhje janë regjistruar në 48 orët e fundit në qytetin e Durrësit dhe Krujës dhe në shënjestër të hajdutëve kanë qenë shtëpitë dhe automjetet.
Grabitja më ‘fitimprurëse’ është regjistruar në lagjen “Shote Galica” në Krujë. Burime policore bëjnë të ditur se gjatë natës së të shtunës hajdutët kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit H.M., 51 vjeç, në të cilën kanë marrë dy televizorë plazma 32 polësh, 2.000 euro, 7 varëse floriri, 1 telefon IPhone, 4 unaza floriri dhe 4 palë vathë floriri. Pasi kanë mbledhur të gjithë mallin e vjedhur, hajdutët janë larguar pa bërë zhurmë, ndërsa policia po punon për arrestimin e tyre.
Pre e hajdutëve ka rënë edhe një banesë e një shtetasi kosovar në zonën e Plazhit. Ndërsa 29 vjeçari E.L., nga Skënderaj, Kosovë kishte lënë hapur derën e ballkonit për t’u freskuar nga vapa e këtyre ditëve të nxehta, hajdutët kanë hyrë në shtëpi dhe i kanë marrë 1 IPhone, 500 franga zvicerane dhe 140 euro.
Ndërkohë hajdutët që kanë vjedhur një dyqan në lagjen nr.17 në Durrës krahas parave të gjetura në kasë (10 mijë lekë) kanë marrë edhe 25 steka cigaresh duke dalë të ‘fituar’ nga kjo vjedhje.
Vidhen automjetet
Të vish në Durrës për të pushuar dhe të të vjedhin automjetin. Është kjo surpriza e pakëndshme me të cilën është përballur një shtetas kosovar, që kishte ardhur të kalonte disa ditë pushime në plazhin e Durrësit. Ndërsa e kishte parkuar automjetin e tij tip Benz me targa RKS-03-289-AN, në afërsi të shtëpisë së marrë me qira, gjakovari 33 vjeçar B.C. është surprizuar mëngjesin e së dielës, kur ka parë se makina e tij kishte ‘avulluar’. Me çelësat e automjetit në dorë ai ka bërë denoncimin në polici për vjedhjen e pësuar, por shumë pak mundësi ka që automjeti t’i rikthehet sërish.
Nga të gjitha rastet e vjedhjes së automjeteve përgjatë këtij viti, policia e Durrësit nuk ka mundur të identifikojë asnjë prej autorëve dhe as të bjerë në gjurmët e makinave.
Pak me më shumë fat sesa gjakovari ka qenë një 23 vjeçar nga Kruja, të cilit hajdutët i kanë hapur me forcë mjetin tip Benz me targa AA 011 IC, por këtë herë vetëm për të marrë nga aty çantën ku ndodhej pasaporta dhe disa sende personale.
Për secilin nga këto raste policia e Durrësit dhe Krujës ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e hajdutëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





