Tiranë, 4 korrik 2014 – Ditën e djeshme është prezantuar drafti paraprak për reformën e arsimit parauniversitar, i cili do të jetë i njëjtë me Kosovën. Veç ndryshimit të sistemit nëpërmjet amendimit të ligjit, i cili pritej që sistemin parauniversitar ta kthente nga sistemi 5+4+3 që është aktualisht në sistemin 6+3+3, do të ketë një ndryshim rrënjësor të kurrikulës, procesit të vlerësimit të nxënësve, alterteksit, por edhe provimeve kombëtare, sidomos provimet e Maturës Shtetërore.
Pasi matura nuk do të jetë më një proces hyrës për në shkollën e lartë, por vetëm proces dalës nga gjimnazi, duke pajisur nxënësit me diplomën e përfundimit të shkollës së mesme. Në draft përcaktohet se edhe mënyra e hartimit të pyetjeve të testeve të provimeve kombëtare (atyre të lirimit dhe të maturës) do të ketë tjetër vlerësim dhe shkallë vështirësie.
Një ndër problematikat që ngre drafti është mungesa e kulturës së vlerësimit. Po ashtu, shqetësues është edhe fakti se ISHA (Inspektorati Shtetëror i Arsimit) nuk ka mundur të sigurojë cilësinë e sistemit, pasi ka një raport 27 inspektorë për 4 mijë institucione, duke bërë që inspektimi në shkolla të jetë larg standardeve. Po ashtu, mungesa e kritereve kombëtare të vlerësimit ka sjellë pështjellim në vlerësimin me notë të nxënësve. Si pasojë, i njëjti nxënës për të njëjtën sasi njohurish mund të marrë vlerësime të ndryshme nga mësues të ndryshëm, madje dhe nga i njëjti mësues, në ditë të ndryshme.
Një hallkë tjetër që preket është personeli i AKP, (Agjencisë Kombëtare të Provimit) e cila në draft theksohet se paraqet dobësi në hartimin dhe përgatitjen e testeve për provimet kombëtare. Ndaj në draft propozohet fuqizimi i AKP, në drejtim të burimeve materiale dhe trajinimi i personelit, si dhe të ketë më shumë pavarësi në hartimin e testeve edhe të pyetjeve.
Të ndryshojë struktura e testeve të provimeve kombëtare, por edhe përmbajtja e tyre. Po ashtu, duhet të ndryshojë sasia e pikëve dhe peshat e niveleve të vështirësisë. Testi duhet të jetë të paktën me 100 pikë, për një vlerësim më të zgjeruar të njohurive dhe të kompetencave të nxënësve. Lidhja midis shkollës së mesme-maturës dhe shkollës së lartë nuk është tërësisht funksionale. Ndaj edhe në respekt të autonomisë së universiteteve, MSH (Matura Shtetërore) duhet të shërbejë vetëm si provim dalës që pajis nxënësit me diplomë të përfundimit të shkollës së mesme. Po ashtu, duhet të organizohen vlerësime kombëtare periodike në klasat e 5 dhe të 11, në disa lëndë. Duhet të trajnohen mësuesit për hartimin e instrumenteve të vlerësimit dhe teknikave bashkëkohore të vlerësimit.
Kurrikula
Kurrikula aktuale cilësohet tej mase e rënduar, duke e bërë kurrikulën më të rënduar në Europë. Veç mbingarkesës së panevojshme, kurrikula aktuale e arsimit bazë nuk përshtatet me zhvillimin e nxënësve. Reforma kurrikulare parashikon reformim dhe certifikim të teksteve shkollore, duke përfshirë ligjin për tekstet shkollore dhe aktet nënligjore përkatëse, hartimin e standardeve të teksteve shkollor dhe të procedurave për vlerësimin dhe certifikimin. Kurrikula e reformuar do të organizohet në shtatë fusha të nxëni.
Përparësi, kurrikula e arsimit do t'i japë parimit të shumëgjuhësisë dhe të shumë kulturave, duke u dhënë rëndësi nxënies së gjuhëve të huaja dhe gjuhëve të minoritetit. Po ashtu, rëndësi do t'i jepet teknologjisë, pasi do bëhet pjesë e mësimit. Ndërsa pesë fushat e tjera janë: Matematika, Shkencat e Natyrës, Shoqëria dhe Mjedisi, Artet dhe Edukim Sizik, Sportet dhe Shëndeti. Reforma kurrikulare do të sigurojë të gjitha parakushtet e duhura për harmonizimin e sistemit tonë arsimor kurrikular, duke ruajtur veçorit e secilit sistem arsimor. Faza e dytë do të sigurojë shkëmbimin e përvojave të mira që do rezultojnë nga procesi i pilotimit të kurrikulave.
Drafti parashikon se kurrikula e sistemit parauniversitar përbëhet nga kurrikula bërthamë, e cila do jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit, ku do përfshihen lëndë dhe njohuri që duhet t'i ketë çdo nxënës që përfundon arsimin parauniversitar. Ndërsa kurrikula me zgjedhje do të ofrohet nga shkolla dhe do zgjidhet në vetë nxënësit, duke filluar që nga klasa e parë. Pikë e rëndësishme e reformës së arsimit parauniversitar është alterteksti. Sipas këtij drafti, ky është një ndër problemet thelbësore që ka sot sistemi parauniversitar në vendin tonë, problem i cili ka sjellë edhe mangësi në procesin e të nxënit të nxënësve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





