Portugali, 3 korrik 2014 – Narkotrafikantët latino-amerikanë, të hutuar nga goditjet e një operacioni multinacional të udhëhequr nga DEA amerikane, kanë filluar të gabojnë në organizimin e rrjetit logjistik për transport-shpërndarjen e kokainës drejt tregut evropian, me destinacion si magazinë tranziti Shqipërinë.

Një ngarkesë kokaine e fshehur në një ngarkesë legjitime bananesh mbërriti në Spanjë me kontejner nga Amerika Latine. Besohet se në këtë mënyrë ishte dërguar në Evropë mbi një ton kokainë. Për një gabim logjistik të narkotrafikantëve disa paleta me banane të kësaj ngarkese u dërguan për t’u shitur në rrjetin e supermarketit popullor Lidl (ne foton poshte), në Portugalinë fqinje, në vend që të ngarkoheshin në një kamion frigoriferik për t’u dërguar jashtë zonës komunitare, në Shqipëri.

Në kutitë e bananeve, poshtë frutave, u gjetën pakot me kokainë. Të tilla kuti bananesh me kokainë u zbuluan në supermerkatet Lidl në qytetet portugeze: Arrifana, Marco Canavesse, Amarante, Valongo, Porto (në dy supermerkate) dhe Famalicao. Policia portugeze ka arritur të rikuperojë deri tani 237 kg kokainë puro. Vazhdojnë kontrollet për të tjera kuti me banane, ku mund të jenë fshehur qeset me kokainë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/