Tiranë, 3 korrik 2014 – Për të rënë në gjurmët e vrasësve të biznesmenit dhe bankierit të njohur Artan Santo, forcat speciale kanë nisur sot të ngrenë postblloqe dhe të kontrollojnë çdo banesë në Fushë-Kuqe të Lezhës me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht se operacioni ka nisur për këtë fakt, dihet që Fushë-Kuqja është zona ku vrasësit humbën gjurmët.

Mësohet se sot specialët nga Tirana, të ndihmuar edhe nga Policia e Rendit dhe ajo Rrugore në Lezhë, kanë vendosur postblloqe në të gjitha rrugët dalëse të Fushë-Kuqes si dhe kontrollojnë të gjitha automjetet që hyjnë e dalin në aksin rrugor Lezhë-Tiranë. Në bashkëpunim edhe me FNSH policia po kryen kontrolle edhe në Ishëm-Krujë.

Deri më tani policia ka shoqëruar dhjetëra persona për ngjarjen, por ende nuk ka mundur të arrijë tek vrasësit e vërtetë dhe as të gjejë motivet e këtij krimi, që tronditi kryeqytetin dhe mbarë opinionin publik.