Tiranë, 3 korrik 2014 – Tirana është përfshirë javën e fundit nga “netë të bardha” të cilat kanë qenë të zhurmshme, kjo për shkak se maturantët kanë festuar mbrëmjen e maturës.
Sipas gazetës “Dita”, resortet më luksoze të kryeqytetit janë mbipopulluar këto ditë nga maturantët të cilët kanë organizuar mbrëmjen e ndarjes me shokët dhe shoqet e klasës.
“Tilllate Albania”, një faqe që të mban të informuar për sa i përket aktiviteteve të jetës së natës në Tiranë ofron një një galeri fotosh për mbrëmjen e maturës së gjimnazeve më në zë të Tiranës.
Këtë vit nuk ka munguar tapeti i kuq, fotot përballë një baneri të vendosur enkas për këtë ditë dhe lojërat e ndryshme gjatë mbrëmjes. Si ambiente për të festuar janë zgjedhur vendet ku ka edhe pishina, sepse dihet, në fund të gjithë janë lagur nga pak.
Risia e sivjetshme ishte e padëgjuar deri më sot në Shqipëri. Grupe maturantësh “modernë” kanë menduar që të kalojnë bashkë 24 orë duke festuar. Nga informacionet që na kanë dhënë nxënës të ndryshëm, kemi arritur të kuptojmë se si është kaluar kjo ditë:
Festa ka filluar që në mëngjes, ku nxënësit janë mbledhur të gjithë bashkë për të udhëtuar drejt vendit të përzgjedhur. Zakonisht janë zgjedhur resorte ose hotele që ndodhen pranë detit. Dita ka vazhduar me plazh dhe lojëra në shoqërinë e njëri-tjetrit, për të vazhduar me drekën e thjeshtë në restorant.
Më pas, fillon përgatitja për momentin kulmor, mbrëmjen. Nxënësit kanë marrë me vete veshjet e përzgjedhura për këtë natë dhe mësohet se shpenzimet për to kanë qenë goxha të majme. Vajzat përveç fustanit klasik, kenë patur me vete edhe një veshje tjetër casual, pak më të rehatshme për orët e vona.
Mbrëmja fillon me darkën në restorant, dhe vazhdon me kërcim dhe pije deri në orët e para të mëngjesit. Mbrëmja e maturës ka mbaruar të nesërmen, ku të gjithë janë kthyer në shtëpi.
Një kamion për të shkuar në… Mbrëmjen e Maturës
Kukësi ka një traditë në festimin e Mbrëmjes së Maturës. Kur vjen kjo ditë, të gjithë qytetarët mblidhen në vendin e organizimit dhe shoqërojnë të rinjtë në nisjen e festës. Deri në vendin ku është zgjedhur të mbahet mbrëmja, maturantët vijnë hipur mbi makina luksoze dhe të shoqëruar nga kavalier.
Këtë vit ka ndodhur diçka e çuditshme, që nuk ishte hasur më parë. Një kamion është parë të “çajë” turmën e kureshtarëve dhe prej aty të zbres një… djalë dhe vajzë. Ne kemi mundur të sigurojmë foton e këtij momenti të veçantë në qytetin verior. Ndryshe nga miqtë e tyre që kanë kërkuar makinat e markave të fundit. Ata ka zgjedhur këtë formë për t’ju bashkuar bashkëmoshatarëve. Një zgjedhje e çuditshme, por që e ka bërë efektin e saj.
Diçka tjetër që vihet re në këtë qytet është se festa survejohet e policia, që nga momenti i mbartjes së të rinjve e deri në përfundim, gjë që shihet edhe në foto.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





