Brazil, 3 korrik 2014 – FIFA nuk e ka pritur aspak mirë denoncimin e Der Spiegel mbi manipulimin e mundshëm të ndeshjes mes Kamerunit e Kroacisë. Pas një bashkëbisedimi me të famshmin Wilson Raj Perumal, i dënuar disa herë për trukime, revista gjermane raportoi parashikimin e tij se afrikanët do të humbisnin me rezultatin 4-0 përballë ballkanasve dhe në të vërtetë kështu ndodhi. Gjithsesi ky raportim nuk ka mjaftuar për qeverinë botërore të futbollit, e cila reagoi nëpërmjet zëdhënëses Delia Fischer.

“FIFA ka dyshime të forta mbi lajmin e publikuar nga Der Spiegel për manipulim të mundshëm. Në këto kushte kërkojmë nga revista gjermane të na japë provat e komunikimit me Perumal, si dhe çdo material tjetër që zotëron për të vërtetuar këto dyshime. Artikulli i Der Spiegel ka vendosur në pikëpyetje integritetin e ndeshjeve të Kupës së Botës”.

Delia Fischer pohoi në vijim se deri më sot, FIFA nuk ka hasur asnjë të dhënë që mund të vendosë në dyshim ndeshjet e Botërorit për trukime. Zëdhënësja theksoi se për hatër të një kryetitulli bombastik dhe në respekt të shoqërisë, mediat nuk duhet të publikojnë lajme pa verifikuar më parë të gjithë informacionin që kanë. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Federata e Kamerunit, e cila bëri të ditur se do të hetojë të gjitha dyshimet e Der Spiegel për trukimin e takimit me Kroacinë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/