Tiranë, 2 korrik 2014 – Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, shprehet se për herë të parë është shmangur i gjithë zinxhiri i selisë blu në procesin e ripërtëritjes.
Në një intervistë për emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News 24, ajo thotë se zgjedhjet në PD janë të vonuara dhe duhet të mbyllen sa më parë.
A ka një meritë kjo qeveri për marrjen e statusit për ju?
Unë di që Rama e ka vonuar 3 vite statusin, me një pretekst qesharak. Dy ditë para se të merrej statusi e quajti një pilulë antidepresive për ta zvogëluar vlerën e kësaj. Kjo nuk është një sjellje prej Kryeministri. Sot kemi një Europë që ka një rritje të partive euroskeptike dhe sigurisht që do të thonë se kushtet do të shtohen. Këto janë kostot që do paguajnë shqiptarët për shkak të një personi që nuk donte që statusi të merrej nga një qeverisje tjetër.
Si po qeveris Edi Rama me Ilir Metën?
Koalicion interesant, është shumë interesant.
A ishte interesant kur ishte i juaji?
Është më interesant ky, se janë dy persona që donin ta shihnin të vdekur njëri-tjetrin.
Besoj se e keni fjalën politikisht…
Sigurisht politikisht. Armiq për vdekje. Nuk e di nëse ndodh në ndonjë vend tjetër të botës. Në Shqipëri ndodhin shumë gjëra.
Keni qenë dëshmitare e ngjarjeve të caktuara?
Kemi qenë dëshmitare e shumë ngjarjeve, përfshi edhe 21 janarin. Nëse e keni fjalën për Parlamentin, unë mendoj se është thellësisht shqetësuese. Mund të thuash sa të duash që unë jam gjithëpërfshirës, por të shkelësh Kushtetutën me një kurajë të paprecedentë. T’i heqësh të drejtën pozitës të ushtrojë të drejtën e kontrollit përmes komisioneve hetimore. Të shkelësh pjesën më të madhe të neneve dhe rregulloreve. Kërkon një kurajë prej aventurieri.
Të vonuara zgjedhjet në PD, procesi zgjedhor i tejzgjatur, keni pothuajse një vit në opozitë…
Procesi është i vonuar. Do doja me shumë dëshirë që të mbyllet një minutë e sa më parë.
A po përgatiten mirë këto zgjedhje?
Shumë mirë që zgjedhjet po bëhen, por duhet të mbyllen sa më shpejt, nuk ka kohë për të humbur.
Shtypi flet për përplasje mes të rinjve dhe të vjetërve në PD…
E para, përplasje nuk do t’i thosha, debate e diskutime ka pasur dhe ka në PD. Kaq të rinj ka në Grupin Parlamentar, sa nuk e imagjinoni. Të vjetër nuk i shkon PD-së, se vetë Partia Demokratike është shumë e re, vetëm 23- vjeçare. Më i vjetri në PD ka vetëm 23 vite në politikë. Është një mënyrë krejt tjetër e drejtimit të PD-së, të cilën nuk e kam parë kurrë në PD. Është krejt ndryshe, nuk di me ia vu emrin, por nuk e kam parë në PD. Sigurisht që ripërtëritja është e rëndësishme dhe kjo ka qenë konstante në PD. Është historia e PD-së ripërtëritja dhe hapja. Ka nevojë sigurisht për ripërtëritje vlerash, por shmangia e gjithë zinxhirit nuk ka ndodhur kurrë në PD. Duhet parë. Unë nuk do ta kisha bërë. Është një model që unë s’e njoh.
Janë mbyllur zgjedhjet e PD në Shkodër?
Jo, është në proces besoj.
Është folur për një analizë brenda PD-së pas humbjes së zgjedhjes. Një analizë që nuk e kemi parë të bëhej…
Shqiptarët bëjnë analizat më të hollat, më të thellat, më të vërtetat. Mua më bën përshtypje një gjë. Do kishte qenë historike nëse do ishte marrë mandati i tretë. Nuk ndodhi, por demokratët duhet të jenë krenarë për atë që kanë bërë. Mandati i parë, 2005-2009, ka qenë ndër mandatet që do mbesin në histori.
Ju keni ndonjë ambicie personale në postet drejtuese të PD-së?
Politika është gjëja që më pasionon më shumë. Është një pasion i jashtëzakonshëm kur mendon se ke kauza për me luftu.
Ka zëra që thonë se zoti Berisha ndërhyn shumë në vendimmarrjen e Bashës?
Këto më duken si thashetheme, nuk kam as dëshirë t’i dëgjoj. Jo vetëm nuk ndërhyn, por ai e ka përsëritur një mijë herë. Kryetari i ri është Basha, ka marrë përgjegjësinë dhe ka thënë do ta çoj në fitore PD-në. Sigurisht do të ketë gjithë mbështetjen.
Nëse zoti Basha nuk i fiton zgjedhjet e vitit të ardhshëm?
Pse duhet të mendoj keq? Unë mendoj pozitivisht.
Është gati PD për zgjedhjet e ardhshme lokale?
Prandaj unë i kam pasur preokupim zgjedhjet. Opozita duhet të kthehet, të konsolidohet. PD ka minimalisht dy sfida të mëdha, duhet të zgjidhim çështjen e votës tërësisht e kompromentuar në zgjedhjet e Korçës. PD duhet të mendojë seriozisht çfarë do bëjë për të mbrojtur të drejtat e opozitës që nuk i lejohet edhe komisioni hetimor në Parlament për të trajtuar problemet e frikshme dhe bazale që ne i trajtuam në fillim të emisionit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





