Tiranë, 2 korrik 2014 – Pranga pedofilit të "Don Boskos". Forcat policore të Komisariatit Nr.3 kanë vënë në pranga 48-vjeçarin, Agron Gega, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve policore, i arrestuari dyshohet se ngacmonte seksualisht të mitur në moshë në zonën e "Don Boskos" në kryeqytet, aty ku banonte edhe 48-vjeçari.
Burime nga forcat blu bëjnë me dije se pedofili ka mundur vetëm që t`i prekë nga trupi dhe t`i puthë në buzë dy vajzat e mitura, të cilat të trembura u kanë treguar çdo gjë prindërve të tyre. Pas denoncimit në polici, forcat e Komisariatit Nr.3 kanë vënë në pranga Gegën, i cili është kapur disa orë pas veprimeve të turpshme.
Mësohet se gjatë dëshmisë që ka dhënë para forcave policore, 48-vjeçari e ka pranuar atë që ka bërë dhe ka shpjeguar se ai nuk do që të bëjë veprime të tilla. "Nuk dua të bëj veprime të turpshme me të miturit, por më është kthyer në sëmundje, kam nevojë", ka shpjeguar pedofili para policisë.
Ndërkohë, shumë banorë të zonës ku ka ndodhur ngjarja kanë bërë me dije se Gega njihej si një njeri që bënte veprime të tilla dhe se janë të frikësuar për fëmijët e tyre. Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për të parë nëse ka edhe raste të tjera që rëndojnë mbi 48-vjeçarin nga Tirana.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





