Uruguaj, 2 korrik 2014 – Gjyshja e Luis Suarez, Lila René Píriz ka bërë disa deklarata për të përditshmen “El Pais” ku bën të ditur se cilat janë shkaqet e mundshme që kanë çuar nipin e saj që të kafshojë lojtarët kundërshtarë si Bakkal, Ivanovic dhe Chiellini. I katërti nga shtatë vëllezërit, Luisito, sipas saj “nuk ishte kaq i egër, ishte i mirë dhe i dashur me shokët. Nuk e di se çfarë ndodhi me vogëlushin tim”, ka komentuar “la Chola”, siç e quajnë gjyshen e tij, e cila banon në Penarol dhe ka 22 nipër e mbesa.
Gjyshja e yllit uruguajanas ka tentuar të justifikojë atë sjellje me situata të ndryshme të fëmijërisë së tij “Nuk e di se përse i ka këto shpërthime, kur i ka të gjitha për të qenë i lumtur. Ndoshta shkurorëzimi i prindërve ka bërë që ai të gjendet në vështirësi dhe tashmë të reagojë kështu”, ka pohuar ajo. Për më tepër La Chola deklarohet si fanse e skuadrës “Panarol” dhe thekson se nipi i saj, sa herë që flasin tenton që t’i ndryshojë mendim
“Gjithmonë kam qenë fanse e Penarol. Sa herë që ai flet me mua tenton që të më ndryshoj mendim. Unë nuk kam bërtitur për golat e tij dhe aq më pak kur luante kundër Penarolit”. Së fundi Lila ka rrëfyer se “kurrë nuk e kemi menduar se Luisito do të bëhej më i famshmi nga të gjithë me atë karakter. Është gjaknxehtë që fëmijë, njësoj si babai i tij”.
Suarez kafshoi në krahë mbrojtësin e Italisë, Giorgio Chiellini në ndeshjen ndërmjet Italisë dhe Uruguait.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





