·      Ekskluzive / Koncesionari i Terminalit të Trageteve ka zbatuar praktikën faktit të kryer, teksa solli më 29 qershor 2014 anijen me vinçin italian, kur 19 ditë më parë përfaqësuesi i sovranitetit të shtetit shqiptar bëri të ditur: treguesit e bëjnë të palejueshëm instalimin

·      “Autogoli” / Detyrohen jo vetëm të turpërohen para partnerëve italianë, por edhe të paguajnë të gjitha shpenzimet e transportit, plus orëvonesat e anijes holandeze

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 1 korrik 2014 –  Edhe pse janë paralajmëruar nga autoritetet shqiptare qysh më datën 10 qershor 2014 se vinçi i porositur në Itali “cenon sigurinë e strukturës së kalatës 6”, koncesionari i terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit ka dashur të bëjë “të fortin” me shtetin sovran mikpritës, por u ka dalë për hundësh.

Por turqit e pësojnë nga vetvetja, me praktikën e fait accompli (para faktit të kryer) në portin e Durrësit: sollën një vinç pa lejen e të zotit (land-lord), prandaj detyrohen të turpërohen si para partnerëve italianë, por edhe të paguajnë të gjitha shpenzimet e transportit, plus orëvonesat e e anijes holandeze.

E VËRTETA SIPAS KONCESIONARIT

Sikurse ka shkruar “Dyrrah”-u (shih http://www.durreslajm.com/ekonomia/durres-lordi-shqiptar-bllokon-anijen-holandeze-te-turqve), më 29 qershor 2014 dispeçeria e portit të Durrësit nuk ka lejuar futjen në përpunim të anijes Tramper, me flamur të Holandës. Transportuesi, i regjistruar në Amsterdam, ka mbërritur në radë, në orën 8 paradite.

Temper-i është nisur nga porti italian i Monfalkones (Monfalcone) më 27 qershor 2014, ora 5:31, me një ngarkesë të posaçme. Në bord është një vinç i markës Terex MHC 5150, prodhim italian i vitit 2014, me peshë vetjake 440 tonë dhe aftësi ngritëse 150 tonë, me zero orë pune (në zhargon: vinç “arke”), porositur nga koncesionari turk DCT (Durres Container Terminal – Terminali i Kontejnerëve Durrës) sha.

“Dyrrah”-u bisedoi më 29 qershor 2014 me administratorin e DCT-së z. Mesut Janar (Yanar). Ishte tejet i habitur me bllokimin: “Nuk e kuptojmë situatën”, tha z. Janar. “Jemi në siklet se si t’ua shpjegojmë italianëve këtë që po ndodh. Po bëhemi padrejtësisht rezil në sytë e prodhuesve të vinçit. Nuk e di se si do të vazhdojë kjo histori. Po na bllokohet padrejtësisht vinçi dhe puna”, tha i dëshpëruar z. Janar. I pyetur nga “Dyrrah”-u lidhur me mosmarrëveshjet e mëparshme për rrezikshmërinë e dëmtimit të kalatës nga vinçi i blerë në Turqi, z. Janar sqaroi se për këtë të blerë në Itali, janë hartuar raporte teknike nga universiteti publik Politeknik dhe ai privat Epoka të Tiranës, që garantojnë se mjeti i fuqishëm ngritës u përgjigjet parametrave, që kërkon kalata.

BUMERANGU

Të martën, më 1 korrik 2014 “Dyrrah”-u mësoi se anija po vazhdonte të qëndronte e bllokuar në radë.

Ndërkohë, drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë publike / shtetërore Autoriteti Portual Durrës (APD) sha i vuri në dispozicion portalit durreslajm.com një shkresë të 10 qershorit 2014 (shih faksimilen) që CEO (drejtori i përgjithshëm ekzekutiv) i APD sha, z. Selim Belortaja i drejtonte z. Mesut Janar (Yanar), administrator i kompanisë Durres Container Terminal (DCT), për dijeni z. Eduart Seitaj (Njësia e zbatimit të projektit mbi koncesionin e Terminalit të Kontejnerëve të porit të Durrësit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës) dhe z. Gentian Beqiri, kryetar i këshillit drejtues të APD sha, pra, 19 ditë para se të mbërrinte anija holandeze në radën e portit.

Kështu turqit e pësojnë nga vetvetja, me praktikën e fait accompli (para faktit të kryer) në portin e Durrësit: sollën një vinç pa lejen e të zotit (land-lord), prandaj detyrohen jo vetëm të turpërohen para partnerëve italianë, por edhe të paguajnë gjithë shpenzimet e transportit, plus orëvonesat e anijes holandeze.

BELORTAJA MË 6 QERSHOR 2014: I PALEJUESHËM INSTALIMI

Në përgjigje të shkresave të DCT-së nr. 395 dhe 399 të datës 6 qershor 2014, bëhet e ditur se departamenti inxhinierik i APD-së mori në shqyrtim kërkesat për porositjen dhe sjelljen e vinçit të markës TEREX modeli MHC 5150 dhe konkludoi se tregues të këtij vinçi e bëjnë të palejueshëm instalimin në kalatën ku operon DCT.

Njëkohësisht shkresa e sipërcituar shoqërohej me relacionin teknik mbi kërkesën e “DCT” për furnizimin me vinçin “MHC 5150” me peshë totale 481 tonë, hartuar po më 6 qershor 2014, kur mbërriti shkresa e DCT-së, nga drejtoria e zhvillimit.

Sipas relacionit të nënshkruar nga 7 inxhinierë me në krye zëvendësdrejtorin e përgjithshëm Artjan Qirici, “ky vinç nuk mbështetet plotësisht në strukturën e kalatës 6 të portit të Durrësit, ku kërkohet të operojë”.

Meqë ky rast ka ngjallur interes në specialistë, politikanë dhe lexuesin e gjerë, po citojmë të plotë mendimin e ekspertëve të portit të Durrësit.

ARGUMENTET TEKNIKE

“Konkretisht (siç duket në vizatimin bashkëngjitur) shputat e vinçit nga e sheshit, të cilat transmetojnë ngarkesën maksimale për rastin kritik të barabartë me 46,9 tonë/m2 (sipas katalogëve që ka sjellë DCT-ja), nuk mbështeten plotësisht mbi trarët betonarme të ndërtuar mbi pilota, të llogaritura për këtë qëllim, por vetëm me 35% e sipërfaqes së tyre. Dhe 65% e sipërfaqes së shputave mbështet për më keq mbi kanalin elektrik, i cili mund të përballojë ngarkesën maksimale prej 4 tonë/m2. Nga një përllogaritje e thjeshtë 46,9 tonë/m2 x 65% = 30.485 tonë/m2 (shumë më e madhe se 4 tonë/m2). Theksojmë se kjo vendosje e vinçit e bën operimin me të në terminal jashtë standardeve të marra në konsideratë nga projektuesi teknik, si dhe cenon sigurinë e strukturës së kalatës 6 (aset i APD-së).

Për arsyet e sipërpërmendura, jemi të mendimit që vinçi MHC 5150 nuk është i përshtatshëm për operimin në kalatën 6 (kalata e Terminalit të Kontejnerëve).

Ing. Vilma Shehu, ing. Kristaq Goga, ing. Gjergj Kota, ing. Alqi Loli, ing. Redi Sefa, ing. Luan Ballshi (drejtor i drejtorisë së zhvillimit), ing. Artjan Qirici (zëvendësdrejtor i përgjithshëm)”.

P.S.: “Dyrrah”-u, duke mos marrë përsipër të bëjë ekspertin teknik, njofton DCT-në se është i hapur të botojë mendimin alternativ të universiteteve Epoka dhe Politeknik të Tiranës.

KLSH

Ndërkohë po citojmë diçka nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), që konfirmon dhe shkrimet e botuara në durreslajm.com (shih në:http://www.durreslajm.com/investigim/bllokimi-i-portit-te-durresit-alarmohet-kryeministri-rama; http://www.durreslajm.com/investigim/durres-kurumi-i-bllokon-837-kontejnere-te-vitit-te-ri; http://www.durreslajm.com/ekonomia/britaniket-rishikoni-koncesionin-e-kontejnereve-sipas-interesit-kombetar; http://www.durreslajm.com/ekonomia/durres-vijon-defekt-vinci-120-tone-dy-anije-rrezikojne-janarin etj.), por nuk e kuptojmë pse nuk vepron Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto.

“Vërehet mungesë kompetence, kapacitetesh dhe profesionalizmi nga ana e operatorëve privatë në operimin e terminaleve në koncesion. Kjo veç të tjerash shprehet qartë edhe në mosmirëmbajtjen dhe keqpërdorimin e pajisjeve të huazuara nga APD-ja, të cilat janë përgjegjësi e koncesionarit (rasti i dëmtimit të një vinçi nga koncesionari “Durrës Kurum Shipping & Global Liman Isletmeleri a.s. & Mariner”)”.

“Nuk dëshmohet kryerja e investimeve sipas angazhimeve së kontratës së koncesionit. Ky investim është pothuaj inekzistent ose i gabuar (rasti i blerjes së një vinçi nga koncesionari “Durrës Kurum Shipping & Global Liman Isletmeleri a.s. & Mariner”)”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/