1 korrik 2014 – Takimi mes Kamerunit dhe Kroacisë ka qenë i trukuar. Kështu shprehet Wilson Raj Perumal, i cili konsiderohet nga të gjithë si “kumbari i basteve”.
Sipas “Der Spiegel” hetimet janë fokusuar në një mesazh të publikuar nga vetë Raj Perumal përpara fillimit të lojës i cili shkruante se takimi do të mbyllej 0-4 për Kroacinë pasi në radhët e skuadrës afrikane luajnë shtatë futbollistë që ai i konsideronte si i “rrezikshëm”.
Revista raporton se FIFA është informuar në lidhje me këtë ndeshje por shefi i sigurisë së qeverisë së futbollit ndërkombëtar, Ralf Mutschke theksoi se nuk ka sinjalizim për një trukim të kësaj sfide. Perumal u arrestua disa vjet më parë në Finlandë për trukimin e ndeshjeve të këtij kampionati.
Pas lajmit të publikuar nga gjermania “Der Spiegel” për hije trukimi në Botëror në ndeshjen mes Kroacisë dhe Kamerunit, Federata e vendit afrikan ka vendosur të hapë një hetim për shtatë futbollistë të përfaqësueses që dyshohen se mund të kenë manipuluar rezultatin. Revista e përjavshme gjermane e bazonte shkrimin e saj, në një deklaratë të atij që konsiderohet si “kumbari” i basteve, Wilson Raj Perumal, i cili përpara zhvillimit të takimit kishte publikuar rezultatin e saktë të ndeshjes 0-4 dhe kishte shkruajtur gjithashtu se ndeshja mund të jetë trukuar nga shtatë futbollistë të përfaqësueses afrikane.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, Federata e Kamerunit vendosi që t’ia kalojë këtë çështje Komisionit të Etikës. Sipas drejtuesve të futbollit kamerunas, pavarsisht se FIFA nuk i ka kontaktuar lidhur me dyshimet e saj, ata kanë vendosur që të hetojnë ngjarjet e dyshimta të ndodhura në atë ndeshje, siç ishte kartoni i kuq i Song dhe të gjithë futbollistët do të merren në pyetje lidhur me këtë çështje, e cila bie ndesh me parimet e lojës në vend dhe politikat e Federatës vendase, e cila nuk mund të tolerojë që emri i saj të njolloset në këtë mënyrë. Përpara fillimit të Botërorit pati zëra se përfaqësueset afrikane mund të provojnë të trukojnë ndeshjet e Kupës së Botës dhe ishte vetë përgjegjësi i sektorit të sigurisë në FIFA, Mutschke, ai që theksoi se ka gjasa që kjo të ndodhë.





