Fier, 30 qershor 2014 – Rreth 900 persona ka mashtruar një 29-vjeçar nga Fieri gjatë 7 viteve të fundit, me një skemë të veçantë mashtrimi si fajdexhi. Pasi u merrte lekët që u jepte ai i denonconte më pas duke ngritur padi civile për të marrë lekët e tij. Deri tani janë zbuluar 900 kontrata që varionin nga 9000- 250.000 euro.
Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, sot u konkludua operacioni policor “Gravata e Zezë”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i Ledjan Muçarakut, 29 vjeç.
Pas një hetimi 5-mujor është zbuluar edhe skema e tij e mashtrimit, Muçaraku lekët që kishte dhënë hua përmes akteve noteriale ua merrte në dorë huamarrësve. Më pas me dokumentet që dispononte dhe me llogarinë e tij personale, ku provonte mos derdhjen e lekëve, denonconte huamarrësit se gjoja nuk i kishin paguar.
Një pjesë të mirë të klientëve të tij arrinte t’i mashtronte sërish duke i bindur të shkonin para noterit e të deklaronin me vullnetin e tyre se ata i kishin marrë para në dorë nga Ledjani dhe ja kishin kthyer atij me bankë dhe se nga ky moment i paraqitjes para noterit nuk ka më asnjë detyrim ndërmjet palëve. Më pas shkonte në bankë dhe printonte gjendjen e llogarisë bankare.
Me akte të tilla ka hapur dhjetëra procedime fiktive dhe ka arritur të fitojë gjyqe civile për kthimin e shumave plus interesin, pavarësisht se realisht ai këto vlera parash nuk i kishte dhënë.
Gjithashtu hartonte e dërgonte padi civile e penale në prokurori dhe gjykatë, duke falsifikuar dhe dokumentet e padive sikur ishin bërë nëpërmjet studiove ligjore, duke i akuzuar viktimat padrejtësisht për mashtrim, kërcënim e fyerje dhe dëmtime me dashje.
Pre e mashtrimit të tij kishin rënë biznesmenë dhe individë nga Fieri, Vlora, Berati, Lezha, Durrësi, Tirana, Kruja, Lezha, Laçi, Mamurrasi, Burreli, Kukësi, Kavaja. Sipas policisë janë mbi 900 kontrata të tilla me vlera nga 9000 deri në 250.000 euro.
Fillimin e skemës e kishte realizuar me studentë, duke ju ofruar sasi të vogla parash nga 5000 – 10.000 lekë me interes nëpërmjet llogarive bankare, të cilat jua merrte sërish në dorë dhe më pas me kopje të deklaratës noteriale dhe nxjerrjes pranë bankës të gjendjes së llogarisë së tij bankare dokumentonte fiktivisht moskthimin e shumës nga personat.
Gradualisht Muçaraku e zgjeroi skemën e tij të mashtrimit dhe aktivitetit të tij kriminal me biznesmenë të interesuar për të marrë para me interes, të cilëve ju sugjeronte të bëjnë depozitime paraprake në llogarinë e tij me përshkrimin “shlyerje detyrimi” ndaj Ledjan Muçaraku, në vlerat nga 1000 lekë deri në 500 000 lekë.
Po ashtu hartonte thuajse çdo ditë nga 1-2-3 akte noteriale me vlera marrëmendëse parash të dhënë me interes, me peng pasuri të paluajtshme shtëpi, troje, lokale etj. Gjatë gjithë kësaj kohe ju kërkonte para si shpërblim për këtë punë dhe për aktet noteriale në vlera që shkonin nga 15.000 mijë lekë deri në 500.000 pesëqind mijë lekë për kontratë.
Për t’ju siguruar këto para i dyshuari Ledjan Muçaraku, përveç se u kërkonte t’i depozitonin para në llogaritë e tij bankare, u kërkonte edhe para në dorë dhe shpërblime të tjera gjatë gjithë kohës të të ashtuquajturës përpjekje për t’u kaluar shumat në bankë, gjë e cila nuk ndodhte kurrë veç ndonjë vlerë të pa përfillshme, sa për të mbajtur në këmbë skemën e mashtrimit.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria vazhdojnë hetimet, ku deri aktualisht janë siguruar dhjetëra deklarata noteriale me vlera nga 6000 euro deri në 230 000 euro, dhjetra procedime penale e civile të hapura fiktivisht nga Ledjan Muçaraku.
Ndërkohë në ambientet e banesës në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, të marrë me qera ju gjetën 51 kontrata noteriale, 28 vendime gjykate, 18 kërkesë padi, 226 fatura bankare, certifikata pronësie, fletëthirrje gjykate, certifikata personale etj.
Vetëm nga hetimet e dy muajve të fundit është dokumentuar se janë mashtruar mbi 30 biznesmenë e shtetas të tjerë, si dhe ka informacione e po hetohet për rreth 900 persona të mashtruar në këtë mënyrë nga kjo skemë sipas policisë është ngritur nga një person i veshur me kostum gri dhe gravatë të hollë të zezë i quajtur Ledjan Muçaraku.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





