Tiranë, 30 qershor 2014 – Kryeministri Edi Rama vijon të shigjetojë sistemin e drejtësisë në vend, duke e cilësuar si një turp të përbashkët nga i cili duhet të shkëputemi njëherë e përgjithmonë.
Nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ku zhvilloi një vizitë bashkë me presidentin e Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, shefi i qeverisë theksoi rëndësinë e reformimit të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që siç tha ai “drejtësia të japë drejtësi dhe çekiçi i gjyqtarit të mos jetë një armë për të marrë jetë në bashkëpunim me kriminelët”.
Sipas kryeministrit, “sfida për të kaluar nga një sistem drejtësie primitiv, në drejtësinë evropiane është një sfidë e përbashkët që duhet adresuar si një reformë e shoqërisë. Duhet të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga kjo fazë e sistemit të drejtësisë që është një turp i përbashkët. Jo reformë e një pale, por reformë e aktoreve dhe faktorëve, pa të cilët sistemi nuk mundet as të ndryshojë dhe as të funksionojë”.
Kryeministri përmendi sërish fjalët e kancelares gjermane Merkel, lidhur me sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke thënë: “Do të mbetet e paharrueshme për mua, ndër të tjera në takimin me kancelaren Merkel, ajo pjesë e takimit kur kancelaria me ka thënë, dakord Shqipëria mund të jetë si thua ti, mundet ta meritojë statusin e vendit kandidat, por dua të më shikosh në sy dhe të më thuash a beson se me drejtësinë që ka Shqipëria sot mund të bëhet anëtare e BE-së. Sigurisht ne e dimë që përgjigjia është jo. Me këtë gjendje të drejtësisë nuk mund të bëhemi anëtare të BE-së”.
BARROSO: FUQIZIMI I GJYQËSORIT RËNDËSI KRITIKE, NEVOJITET BASHKËPUNIM NDËRINSTITUCIONAL
“Forcimi i sistemit gjyqësor ka një rëndësi kritike në vijimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE pas marrjes së statusit kandidat”, theksoi presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso pas vizitës në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas tij marrja e statusit ishte rezultat i punës së bërë në të gjitha fushat, përfshi edhe reformën në sistemin gjyqësor.
“Javën e shkuar kishim një lajm të mirë për Shqipërinë në veçanti për integrimin e Shqipërisë në BE. U arrit një moment historik kur Shqipërisë ju dha statusi kandidat. Dhënia e statusit është rezultat i përpjekjeve të vetë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse ishte pikërisht puna e bërë në të gjitha fushat duke përfshirë edhe reformën në sistemin gjyqësor dhe përpjekjet pozitive që u bënë në luftën kundër krimit. Ndaj jam kaq i kënaqur që gjendem këtu sot për të vizituar Gjykatën e Krimeve të Rënda që ka një rol kaq të rëndësishëm për të luajtur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E kam kuptuar që kompetencat e kësaj gjykate janë zgjedhur më tej duke mbuluar edhe korrupsionin nga zyrtarët e niveleve të larta. Ne na duket që kjo lloj pune do e vejë theksin në punën e mëtejshëm të këtyre veprave penale. Ne po ashtu besojmë që gjykata të jetë efikase duhet bashkëpunim i përforcuar mes institucioneve. Gjykata duhet të punojë dhe bashkëpunojë me agjensitë e zbatimit të ligjit dhe ILDKP. Gjykata më vete nuk do të funksiononte sepse ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.”– u shpreh Barroso.
Më tej ai theksoi se investimi që BE ka bërë në sistemim gjyqësor në Shqipëri, një investim që kap shifrën 150 milionë euro është dëshmi e rëndësisë që Bashkimi Evropian i jep çështjes së integrimit të Shqipërisë. “BE është krenar që ka kontribuar në këtë projekt të rëndësishëm për shoqërinë. Natyrisht që kjo ndihmë që kemi dhënë në fushën e sundimit që deri tani kap shifrën 150 milionë euro asistencë financiare është dëshmi e rëndësisë që u japim këtyre çështjeve dhe angazhimit të Shqipërisë dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Në të gjitha takimet që kam bërë në Tiranë kam theksuar rëndësinë kritike që ka fuqizimi i pushtetit gjyqësor në vend.”- vijoi më tej Barroso.
Ai theksoi se Gjykata dhe gjyqësori është tepër i rëndësishëm në konsolidimin shtetit të së drejtës në vend. “Dëshiroj t’ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj. E di që puna juaj për konsolidimin e shtetit të së drejtës do jetë në vazhdim.”- përfundoi presidenti i Komisionit Europian.





