Durrës, 25 qershor 2014 – Policia e Durrësit mori një denoncim për sherr mes dy punonjësve të një firme të pijeve energjike, pasi një prej tyre ishte larguar me makinën e punës drejt Tiranës.

Burime zyrtare thanë se proceduan penalisht në gjendje të lirë të dyshuarin E. T., 27 vjeç, banues në fshatin Bushat të Shkodrës, përfaqësues i firmës së pijeve energjike, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim A. A., 24 vjeç, banues në fshatin Kullë, bashkia Sukth, i cili është shpërndarës pijesh energjike.

Denoncuesi ka shpjeguar se rreth orës 15:00 të së hënës, në Gjirin e Lalëzit në Durrës, E. T., pas një debati për shitje të produkteve të tjera, i ka marrë mjetin “Fugon Ford”, me të cilin punonte, për ta çuar tek firma në Tiranë.

Përfaqësuesi i marketingut u mbrojt duke thënë se punonjësi ka abuzuar me detyrën. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit për veprën penale “vetëgjyqësi”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/