· Gati për të pritur uniformat e gjelbra për vitin 2014
DURRËS, 25 qershor 2014 – Ndryshe nga shtëpia e pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ajo e Mbrojtjes nuk bën tenderë për rikonstruksion, pasi Ushtria Shqiptare ka një repart të madh për të ndryshuar gjithçka sikurse ka ndodhur dhe këtë stinë turistike.
Në konvaleshencën e ushtrisë, që mbyll “trion” e rezidencave publike (Shërbimet qeveritare / “Blloku”, Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme), me një traditë gati 75-vjeçare u bënë ndryshime rrënjësore në harkun e 10 ditëve, njofton brigada logjistike e Forcave të Armatosura.
Pushuesit që do të shkojnë nga data 1 korrik 2014 do të gjejnë shumë risi dhe një mjedis shumë çlodhës.
Para disa ditësh, fill pas emërimit në detyrë, zëvendëskomandanti i brigadës logjistike, kolonel Fatmir Lokaj, së bashku me një grup pune prej 20 vetash të përbërë nga specialistë të shtabit të brigadës logjistike dhe nga punonjësit e shtëpisë së pushimit në Durrës, filluan në mënyrë intensive ndryshimet rrënjësore, jo vetëm në infrastrukturën e jashtme, e cila ishte shumë e shkatërruar, por dhe në infrastrukturën e brendshme që kishte shumë të meta e mangësi.
Grupi i punës i shtabit të brigadës logjistike ndoqi nga afër dhe me detaje të gjitha procedurat e kompletimit të infrastrukturës së jashtme dhe të brendshme.
Ndryshimet filluan duke i rivendosur në gjendje normale rrugët, lulishtet, plazhin dhe tërë ambientet përbërëse të tij.
Infrastruktura e brendshme u rregullua nga specialistët e brigadës logjistike: sistemi elektrik, sistemi i ftohjes, kompletimi i dhomave dhe tërë elementëve të rëndësishëm e të domosdoshëm për dhomat e pushuesve.
Po ashtu u rivendosën kushte shumë normale dhe bashkëkohore në infrastrukturën e ushqimit dhe të shërbimeve të tjera ndihmëse.
Gjërat kanë ndryshuar katërçipërisht falë disiplinës në punë dhe disiplinës teknike të gjithë drejtuesve të shtabit të brigadës dhe të specialistëve që ndoqën këto punime.
Qysh për vitin 2012 u krye restaurimi i plotë të godinave ekzistuese, janë blerë 14 frigoriferë dhe 32 kondicionerë (një për sallën e ngrënies dhe 31 janë vendosur në dhomat e ndryshme
Në Shtëpinë e Pushimit në Durrës janë vënë në dispozicion të pushuesve 125 dhoma, në të cilat mund të pushojnë në çdo 10 ditësh rreth 320 pushues.
Godinat e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve në Durrës administrohen, ruhen, mirëmbahen dhe restaurohen nga punonjësit e Drejtorisë së Shtëpisë Qendrore të FA, e cila është ngritur dhe konceptuar në mënyrë të tillë që t’u shërbejë në raste të tilla efektivave të Forcave të Armatosura.
Kjo drejtori, me qendër në Tiranë, është në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe bën pjesë në ndërmarrjet shtetërore, jobuxhetore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





