Kosovë, 25 qershor 2014 – Era e fortë që ka fryrë gjatë ditës së sotme, ka rrëzuar një pjesë të minares së xhamisë në lagjen Balec të Gjilanit. Policia e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka të lënduar nga kjo shembje, raportojnë mediet kosovare. Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se pjesa e sipërme e minares ka rënë në kulmin e xhamisë.

Dëme materiale ka, por nuk kemi raportime për të lënduar”,- tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Rrëzohet një pjesë e mbikalimit në Prishtinë

Ndërkohë nga ndryshimi i motit dhe era e fortë është shembur edhe një pjesë e mbikalimit të vetëm në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, përballë shkollës së mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli”.

Përveç xhamave të cilët ishin thyer nga era e fortë, së bashku me ta ka rënë dhe një pjesë e këtij mbikalimi. Për fat të mirë e gjithë kjo ka kaluar pa pasoja në njerëz, duke pasur parasysh faktin se tek ky vend grumbullohen një numër i madh udhëtarësh të cilët presin autobuzët. Menjëherë pas rënies së xhamave dhe hekurave nga mbikalimi, ato janë hequr nga rruga, për të mos i penguar udhëtaret dhe automjetet që kalojnë aty.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/