·        Auron Tare: Qeveria nxori rregullat e lojës, “pasi situata është jashtë kontrolli në bregdet sa është vështirë të ketë standarde”

·        Alfred Dalipi: “Në Malin e Zi janë 64 plazhe të certifikuar me Blue Flag nga KE; në Itali janë 10 të tilla, ndërsa në Shqipëri asnjë

·        Operatori turistik Saimir Gjuzi: Biznesi çdo vit derdh me miliona euro investime në fushën e turizmit, në proporcion jo të drejtë me investimet që bëhen nga strukturat e qeverisë.

 

DURRËS, 25 gusht 2014 –  Qeveria shqiptare po e merr seriozisht stinën turistike dhe sigurinë e pushuesve, më 25 qershor 2014, në një mot të vrenjtur Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit organizuan një promocion me mediet lidhur me dhënien e Flamurit Blu për operatorët privatë dhe përvojën për kullat e vrojtimit në plazh.

Pikërisht ofrimi dhe përafrimi i standardeve me vendet e rajonit është bërë qëllim i punës së njësisë Task Force e stacionuar prej ditësh në plazhin e Golemit, ku një prej subjekteve turistike po përafron të gjitha shërbimet me kërkesat e pushuesve.

Madje Agjencia Kombëtare e Bregdetit në faqen e saj ka botuar një album fotografik nga plazhi privat i Golemit.

Zëvendësministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit z. Alfred Dalipi tha ndër të tjera:

“Në Malin e Zi janë 64 plazhe të certifikuar me standardet e  Flamurit Blu (Blue Flag)  nga Komuniteti Evropian; në Itali janë 10 të tilla, ndërsa Shqipëria ende nuk ka asnjë plazh të certifikuar, në të gjithë vijën bregdetare për të konkurruar me vendet e rajonit. Kriteret përfshijnë standardizimin e cilësisë së shërbimit ndaj pushuesve, ofrimin e kushteve normale në rërë dhe në det, standarde këto që kanë munguar në 23 vjet”.

Pasi dha një “fletëlavdërimi” me gojë për subjektin ku u zhvillua marketingu shtetëror për privatin, nr. 2 i Turizmit shqiptar paralajmëroi se “Task Forca e ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave do të menaxhojë të gjithë bregdetin. Do të punojmë përgjatë gjithë sezonit që këtë lloj standardi në det me stacionet e ujit, për mjete motorike, dhe në rërë me të gjithë elementët e shpëtimit dhomat e zhveshjes, tualetet dhe dushet e ujit, të jetë një mënyrë imponimi për hotelet në të gjithë bregdetin shqiptar. Do të ketë monitorim me përfaqësues nga të gjitha strukturat shtetërore, sikurse janë tatimet, autoritetet ushqimore, shëndetësore, policore, forcat e ushtrisë”.

Dalipi tha se në vitin 2014 po bëhen testime për të arritur një model të administrimit të bregdetit për vitin 2015.

Për zëvendësministrin “duhet të marrë fund zhvillimi kaotik”, ku “subjekti duket të jetë administratori i duhur i bregdetit”.

Dalipi bëri të qartë se me asnjë prej subjekteve që kanë marrë licenca nuk do të ketë “paqe”, po nuk u plotësuan standardet e vendosura nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Gara është në të gjithë territorin, dhe Task Forca do të monitorojë me të gjithë forcën e ligjit këto kritere të vendosura”.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare deklaroi se qeveria nxori rregullat e lojës që duhet të zbatohen, “pasi situata është jashtë kontrolli në bregdet sa është vështirë të ketë standarde”.

Tare e vuri theksin në bashkëpunimin e shtetit me biznesin dhe subjekti i Golemit, sipas tij, është modeli më i mirë që po u prezantohej medieve.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit tha se synohet që në Shqipëri “të paktën të kemi disa standarde me certifikimin Blue Flag  si cilësia e ujit e rërës dhe plotësimi i kushteve të shërbimit”.

Operatori turistik Saimir Gjuzi, në mjediset e biznesit ku është administrator u zhvillua fushata promovuese, deklaroi se biznesi çdo vit derdh me miliona euro investime në fushën e turizmit, në proporcion jo të drejtë me investimet që bëhen nga strukturat e qeverisë.

Edhe Gjuzi i dha “fletëlavdërimi” qeverisë e pushtetit vendor:

“Vitet e shkuar kemi pasur probleme me ujërat e zeza që derdheshin në det, këtë vit është gjetur zgjidhja, nuk ka më probleme, ndërsa pastrimi bëhet nga komuna në të gjithë vijën bregdetare. Këto janë shërbime minimalisht të domosdoshme nga struktura vendore, por që kanë impakt të madh tek biznesi. Nuk mund të flasim më shumë, sepse të mirat nuk kanë fund”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/