Itali, 25 qershor 2014 – Nicole Piccinini, një 15 vjeçare italiane që po kryente një kurë dizintoksikimi nga droga në një strukturë të posaçme, u zhduk pa lënë gjurmë, pasditen e së premtes së kaluar, në Rimini. Policia e shpalli person të humbur, duke bërë publike foto të saj dhe të dhëna personale, si gjatësinë 170 cm, pasjen e tre piercing në hundë dhe buzë etj.

Po pavarësisht kërkimeve, vajza nuk po gjendej. Atë që nuk e bëri policia, e realizoi nëna e Nikolës. Si një dedektive e vërtetë e ëma kërkoi kudo për të gjetur Nikolën duke u përqendruar më tepër në mënyrën sesi ishte larguar nga qendra antidrogë në Rimini adoleshentja.

Elementi kyç i kësaj arratisjeje ishte i dashuri 19 vjeçar i Nikolës, një emigrant shqiptar i papunë. Pas shumë kërkimesh, nëna e Nikolës gjeti dhe banesën në qendrën historike të Ankonës, ku strehohej çifti i të arratisurve. Menjëherë lajmërohet policia dhe Nikola më së fundi kthehet pranë familjarëve të vet.

Ende mbeten të paqarta motivet e kësaj arratisjeje. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një idil dashurie, një tentativë për t’ju futur rrugës së prostitucionit apo një aventurë adoleshenteje.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/