Brazil, 25 qershor 2014 – Psikologu i një universiteti në Britani, Thomas Fawcett kishte paralajmëruar se Luis Suarez do të kafshonte sërish, por nuk mund të parashikonte se kush do të ishte viktima e radhës. Askush nuk ia vuri veshin dhe pas Ivanovic që provoi në lëkurë forcën e dhëmbëve të uruguaianit, tani e pati radhën Chiellini. Kohë më parë, psikologu Fawcett tha i bindur se Suarez do t’i rikthehej zakonit të vjetër sepse kafshimi për të është një impuls, një reagim i pamenduar, krejtësisht spontan.

Dhe kështu ndodhi, në një moment totalisht të panevojshëm, shpatullat e Chiellinit duket sikur e ftonin sulmuesin e Uruguait për të ngulur dhëmbët e tij të mprehtë. E nga ky moment, Suarez u shndërrua rrufeshëm në të gjithë botën në personazhin më të diskutuar në rrjetet sociale, u bë mbreti i Twitterit.

Një vampir i fushave të blerta e quajnë disa dhe herë shfaqet si protagonist i serialit “True blood” e herë si aktori kryesor i filmit shumë të njohur “Twilight”. Në mënyrë ironike, diku tjetër bomberit uruguaian i jepet çmimi për kafshimin e vitit, ndërsa të tjera ironizojnë dhe e shfaqin si peshkaqenin më të rrezikshëm të oqeaneve. Nga ana tjetër ka edhe marka të njohura që këtë incident po përpiqen ta shfrytëzojnë për marketingun e produkteve të tyre. I tillë është rasti i zinxhirit “Nandos”, në Britani që e fton Suarez të ngulë dhëmbët në diçka më të shijshme e po kështu edhe Snickers, në profilin zyrtar në Twitter, ka postuar këtë foto, ku thuhet “Më e kënaqshme se italianët”. Duket sikur të gjithë po mundohen të argëtohen e të përfitojnë nga Konte Suarez. Ndërkohë që Chiellini qante për dhimbjet në shpatull, dikush në Norvegji gëzonte me të madhe. Një tifoz kishte vendosur bast 4 Euro për gjestin e famshëm të uruguaianit dhe qëlloi drejt e në shënjestër. Nga 4 Euro, falë kafshimit të lojtarit të Liverpoolit, xhepit të tij iu shtuan gati 700 Euro. Në Twitter po e ironizojnë, në Itali duan ta shikojnë të kryqëzuar, por në Uruguai, Luis Suarez vazhdon të jetë një hero kombëtar.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/