Itali, 25 qershor 2014 – Tre emra prestigjiozë për një pankinë të madhe, të boshatisur krejt papritur. Eshtë stoli i kombëtares italiane, për të cilin ankandi quhet i hapur. Paga nuk është shumë e lartë, në krahasim me atë që ofrojnë klubet e mëdha europiane, por gjithsesi është një post prestigji dhe si i tillë kërkohet një emër dinjitoz për t’i ngritur sërish kokën të kaltërve pas këtij largimi shokues nga Brazili. Zgjedhja sigurisht që u takon drejtuesve, por me ikjen edhe të Abetes bashkë me Prandellin, ky proces mund të zgjasë pak. Gjithsesi epoka post-Prandelli zyrtarisht ka nisur.
Në pole position për të zëvendësuar ish-teknikun e nënkampionëve të Europës janë emra të një profili të lartë dhe për fatin e kombëtares italiane, secili prej tyre aktualisht është i papunë, Roberto Mancini, Massimiliano Allegri e Luciano Spalletti. Prej 30 Shtatorit të shkuar, Mancini ndodhej në stolin e Galatasaray, deri dy javë më parë kur njoftoi ndërprerjen konsensuale të kontratës me klubin nga Stambolli. Në CV-në e tij, Mancini ka prestigj, eksperiencë dhe në këtë fazë të karrierës ndoshta do ta priste me interes fillimin e një aventure me një ekip përfaqësues.
Kandidati tjetër i fortë është Massimiliano Allegri, i lirë që prej janarit kur u shkarkua nga Milani dhe i gatshëm kështu për të marrë në duar frenat e kombëtares italiane. Pas tyre qëndron jo shumë i shkëputur në këtë garë treshe Luciano Spalletti, edhe ky i shkarkuar nga Zeniti më 10 mars të këtij viti. Në Rusi e paguanin mirë, shumë më tepër nga ç’mund të marrë në pankinën e të kaltërve, por kjo ngjyrë gjithsesi është joshëse për çdo trajner italian.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





